Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, sërish ka fajësuar gjyqtarët për humbjen e skuadrës së tij në Premier League.

Arsenali u mposht të shtunën mbrëma 1:0 nga Aston Villa në “Villa Park”. “Topçinjtë” janë zhvendosur në pozitën e dytë në tabelë, një pikë më pak se Liverpooli lider, 36 respektivisht 37. Aston Villa pozicionohet e treta me 35 pikë.

Arteta, i cili u detyrua ta shikonte ndeshjen nga tribunat pas dënimit që mori pas humbjes nga Newcastle muajin e kaluar, i pyetur nëse ndërhyrja e Douglas Luizit në Gabriel Jesusin dhe goli i anuluar i Kai Havertzit në fund pas rishikimit të VAR-it ishin gabime të gjyqtarit, ai u përgjigj: “Ishin të qarta dhe të dukshme”. Megjithatë, ai asnjëherë nuk ka specifikuar se kujt po i drejtohet, pavarësisht këmbënguljes së gazetarëve.