Jordan Henderson do të largohet menjëherë nga Arabia Saudite. Sipas “The Athletic”, mesfushori anglez ka arritur një marrëveshje me klubin Al Ettifaq për prishjen e kontratës. Henderson, që pëlqehej edhe nga Juventusi, është shumë pranë transferimit te Ajaksi në kampionatin holandez.
Lojtari është kthyer në Angli pas fazës përgatitore që zhvilloi me skuadrën e trajnerit Gerrard në Abu Dabi dhe në parim ka rënë dakord me Ajaksin për t’u transferuar në Eredivisie. Mbetet vetëm për të zyrtarizuar ndarjen me klubin aziatik dhe ish-kapiteni i Liverpulit mund të nisë një eksperiencë të re në Europë.
Drejtuesit e Al Ettifaq kanë siguruar se mesfushorit do ti prishet kontrata dhe do të jetë një lojtar i lirë për tu bashkuar me një skuadër të re. Pas 12 viteve të kaluara në Liverpul, Henderson vendosi që të transferohej në Arabinë Saudite verën e kaluar. Ai luajti 17 ndeshje Saudi Pro League me skuadrën e Al Ettifaq, që drejtohet nga ish-shoku i skuadrës Steven Gerrard.




























