Sven-Goran Eriksson është i sëmurë me kancer. Ka qenë vetë ish-trajneri i Lazios dhe i kombëtares së Anglisë ndër të tjera, që e ka bërë zbulimin tronditës për një radio suedeze: “Të gjithë e kuptuan që nuk isha mirë, mjekët imagjinuan se ishte kancer dhe është i tillë. Më duhet të luftoj sa të mundem”.
75-vjeçari suedez shpjegoi edhe prognozën e dhënë nga mjekët: “Në skenarin më të mirë kam edhe një vit jetë, në rastin më të keq edhe më pak. Në realitet askush nuk mund të jetë i sigurt, është më mirë të mos mendoni për këtë.
Mund ta mashtroni disi trurin tuaj, të mendoni pozitivisht dhe t’i shihni gjërat në mënyrën më të mire. Mos u humbni nëpër këtë fatkeqësi, e cila është padyshim më e madhja nga të gjitha, por merrni diçka të mirë nga kjo përvojë”.
Eriksson, i cili në karrierën e tij fitoi titullin e Serie A me Lazion në vitet 1999-2000 (si dhe një Kupë të Fituesve të Kupave, një Superkupë UEFA, dy Kupa të Italisë dhe dy Superkupa të Italisë), gjithashtu mbajti rolin e drejtorit teknik te Roma, Fiorentina dhe Sampdoria.
Ai zbuloi se kishte kancer në radion suedeze P1: “U rrëzova papritur, teksa po bëja një vrapim pesë kilometra. Pas një konsulte mjekësore zbulova se kisha pasur një goditje në tru dhe se tashmë kisha një tumor. Nuk e di prej sa kohësh e kisha tumorin, ndoshta një muaj, ndoshta një vit”.
Vitin e kaluar, Eriksson dha dorëheqjen si drejtor sportiv i Karlstad Football për shkak të problemeve shëndetësore: “Kam zgjedhur të kufizoj detyrat e mia publike për shkak të problemeve shëndetësore që po hetoj”.
Gjatë karrierës së tij, Eriksson gjithashtu fitoi dy kampionate suedeze, një Kupë UEFA dhe një Kupë kombëtare me Goteborgun, si dhe tre tituj të ligës portugeze, një kupë kombëtare dhe një superkupë portugeze me Benfica.




























