Trajneri spanjoll Xabi Alonso po e udhëheq në mënyrë të shkëlqyer Bayer Leverkusen këtë sezon, ku edhe titulli i kampionit duket një mundësi reale.
Puna e trajnerit ka rënë në sy të shumë klubeve, me Bayern Munich dhe Liverpool, që e duan për vitin e ardhshëm, pasi do të mbesin pa trajner. Jurgen Klopp dhe Thomas Tuchel kanë njoftuar largimet e tyre nga klubet respektive.
Por drejtori sportiv i Bayer Leverkusenit, Simon Rolfes, ka thënë se Xabi Alonso me siguri do të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë Alonso është objektivi kryesor për pozitën e trajnerit të Bayernit për sezonin e ardhshëm.
Alonso ka kontratë deri në verën e vitit 2026, dhe këtë sezon ai po kërkon tre trofe të mëdhenj. Ai mund të fitojë kampionatin gjerman, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Evropës.
“Jam i sigurt se Xabi do të qëndrojë. Ai është i lidhur me kontratë dhe ndihet mirë me ne. Ai ka një ekip shumë të mirë me perspektivë për sezonin e ardhshëm. Secili tani ka rolin e tij në klub dhe cilësinë për ta luajtur. Ne nuk varemi nga një sistem, ai përshtatet me lojtarët që janë në dispozicion”, ka thënë Rolfes për Sport1.