Dëmtimi i papritur i portierit të Realit të Madridit, Tibaut Courtois, bëri xhiron e botës. Belgu la stërvitjen duke qarë dhe në Valdebebas ra alarmi nga frika e një dëmtimi të ri të rëndë.
Testet e mëvonshme e konfirmuan: çarje e meniskut të brendshëm të gjurit të djathtë. Një ndalesë e papritur, kur po bëhej gati të kthehej, por tashmë duhet t’i thotë lamtumirë pjesës së mbetur të sezonit.
Megjithatë, si në lëndimin e mëparshëm, Courtois ka dërguar edhe një herë një mesazh fuqie dhe optimizmi në një moment kaq të vështirë për të.
“Faleminderit të gjithëve për mesazhet tuaja. I trishtuar për një dëmtim që është vetëm një pengesë e vogël, që do të më bëjë të rikthehem shumë më i fortë. Mbështetja juaj më bën ta përballoj shumë më mirë,” shkroi portieri në llogarinë e tij në Instagram në një mesazh të shoqëruar nga një zemër e bardhë.



























