Ishte padyshim një performancë magjike. “Blutë” e Chelsea kanë triumfuar me rezultatin “tenisian” , mbrëmjen e kësaj të hëne, teksa kanë shpartalluar, me rezultatin e thellë, 6 me 0, skuadrën e Everton, në përballjen e vlefshme për javën e 33-të, të kampionatit anglez të futbollit, Premier League, duke thelluar edhe më shumë krizën e këtyre të fundit.

Padyshim, protagonist absolut edhe këtë të hënë ishte “ylli” anglez, Cole Palmer, i cili reaziloi jo një, por katër gola, në minutat 13’, 18’, 29’ e 64’, të sfidës, duke barazuar kështu, “bomberin” norvegjez, Erling Haaland, në garën për “Këpucën e Artë”, të Premier League, ndërsa Nicolas Jackson e Alfie Gilchrist “hipotekuan” rezultatin përfundimtar, në minutat 44’ e 90’.

Falë këtij rezultati madhështor, “Blutë” e Chelsea ngjiten në kuotën e 47 pikëve, duke qëndruar kështu vetëm 3 pikë larg vendit të 6-të, që përkthehet me një vend në Kupat e Evropës dhe me një ndeshje në dorë, gjithçka mund të ndodhë. Ndërkaq, skuadra e Everton mbetet në kuotën e 27 pikëve, duke qëndruar vetëm 2 pikë larg “zonës së ftohtë” të rënies nga kategoria.