Fitorja 2:0 e Zuerichut në udhëtim te skuadra Zug për Kupë të Zvicrës është vlerësuar skandal nga mediumet zvicerane të dielën. Jo për arsye të fitores së Zuerichut në ndeshjen që i takoi raundit të parë të Kupës së Zvicrës, por për incidentin mes trajnerit të Zuerichut dhe babait të sulmuesit Labinot Bajrami, që është pjesë e skuadrës së madhe zvicerane. 

Babai i sulmuesit të talentuar, në minutën e 82-të, në shenjë pakënaqësie e kishte gjuajtur me çadër trajnerin holandez të Zuerichut. 

Bajrami, 19-vjeçar, në Zvicër vlerësohet njëri prej sulmuesve më perspektivë. Por, të dielën, zëvendësimi i tij ishte më i hershëm se që ishte menduar. Në fakt, ai ishte zëvendësuar vetëm pas 19 minutave lojë nga trajneri Ricardo Moniz. 

Zëvendësimi, sipas mediumeve në Zvicër, ka ardhur si rezultat i presingut jo të duhur të Bajramit. 
“Nau.ch”, që e ka konfirmuar incidentin se nga tribunat çadra e hedhur ishte e babait të Labinot Bajramit, ka shkruar se gjithçka ka ndodhur pak pas zëvendësimit të sulmuesit shtatlartë.

“Babai i Bajramit nervozohet, e fyen trajnerin dhe e hedh çadrën në drejtim të tij”, ka shkruar mediumi zviceran. 

Pas disa minutash diskutimi, në të cilin u përfshi edhe presidenti i klubit, Ancillo Canepa, ndeshja vazhdoi. Presidenti e qetësoi situatën në tribuna dhe në fushë. Më pas, ndeshja u mbyll me fitoren e 13 herë kampionit të Zvicrës. Në tribunat e stadiumit “Stadion Herti Allmend” të Zugut ishin të pranishëm 3700 shikues. 

Krahas Bajramit, pjesë e Zuerichut janë edhe shqiptarët Lindrit Kamberi, Mirlind Kryeziu dhe Bledian Krasniqi.