Kylian Mbappe dhuroi një tjetër performancë zhgënjese për Real Madridin. Të mërkurën mbrëma, ylli francez ishte fytyra tragjike e humbjes së galaktikëve nga Liverpooli.

Liverpooli fitoi 2:0, duke e lënë Real Madridin me vetëm gjashtë pikë pas pesë ndeshjeve në Champions.

Mbappe e pati shansin ta barazonte rezultatin në pjesën e dytë, por e humbi penalltinë.

Pas ndeshjes, trajneri Carlo Ancelotti u shpreh se humbja e penalltisë tregon se Mbappe ka mungesë vetëbesimi.

Statistikat ndaj Liverpoolit i pati të tmerrshme. Humbi 15 herë topin, humbi shtatë nga 13 duelet dhe nuk krijoi asnjë shans.

Por kjo nuk është diçka e re.

Pavarësisht se ka shënuar nëntë gola në 19 paraqitje këtë sezon, Mbappe nuk është lojtari vendimtar për të cilin shpresoi Reali.

25-vjeçari ka dështuar të dalë në skenë për Realin atëherë kur ekipi ka pasur nevojë më së shumti, veçanërisht në ndeshjet e mëdha.

Mbappe e nisi mirë karrierën te Reali, kur shënoi ndaj Atalantas në Superkupë. Por në pesë ndeshjet e tjera të rëndësishme, francezi u “zhduk” nga radari.

Nuk luajti ndaj Atleticos për shkak të lëndimit, ndërsa ndaj Atalantas, Dortmundit, Barcelonës dhe Liverpoolit – la shenjë vetëm me një gol, kur shënoi në përmbysjen ndaj Dortmundit.

Deri tash, ish-ylli i PSG-së dhe Monacos nuk ka treguar atë që Reali dhe bota e futbollit e ka pritur pas kalimit të bujshëm në “Santiago Bernabeu” gjatë verës.