Derbin e zhvilluar pa praninë e shikuesve në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren të shtunën, e ka fituar skuadra e Pejës.
“Verdhezinjtë” në ndeshjen kryesore të xhiros së fundit për këtë vit në elitën e basketbollit kosovar, fituan përballë prizrenasve të Bashkimit, 73:63.
Pavarësisht disfatës, Bashkimi mbetet në pozitën e dytë me 23 pikë pas nëntë fitoreve e pesë disfatave. Por, fitorja e Pejës ka bërë që t’i afrohet Bashkimit në vetëm një pikë, me statistika prej tetë fitoreve e gjashtë humbjeve.
Për trajnerin slloven të Pejës, Sebastjan Krasovec, ishte fitorja e dytë rresht. Peja në xhiron e kaluar fitoi ndaj Trepçës, kampiones në fuqi të Superligës, 65:64.
“Luajtëm mirë dhe aplikuam lojë shumë të fortë në mbrojtje. Ishte ndeshje shumë e vështirë dhe dua t’i përgëzoj të dyja skuadrat për paraqitjen. Patëm paraqitje të mirë në pjesën e parë, ndërsa në çerekun e tretë, kundërshtari ishte shumë më agresiv. Ne, megjithatë, gjetëm zgjidhje duke shfrytëzuar aftësitë individuale dhe fituam në fund”, ka thënë trajneri Krasovec pas fitores së arritur.
Bashkimi, që në këtë ndeshje vinte pas fitores 83:73 në Prishtinë ndaj Sigal Prishtinës, nuk shfaqi më të mirën.
Trajneri Darko Raduloviq, pas ndeshjes theksoi se e gjithë skuadra bëri shumë gabime në tentimet që pati.
“Shfaqëm lodhje të madhe dhe nuk arritëm të ktheheshim. Nuk ishim shumë të mirë në kërcime. Kemi pasur përmirësime në ndërtimin e aksioneve në kundërsulme, por kundërshtari ishte shumë i mirë. Ne kishim gabime në tentimet për tri pikë, por patëm gabime edhe në disa vendime në fazën e sulmit”, është shprehur Raduloviq.
Statistikat më të mira te Peja në këtë fitore i pati Danys Lukashov, që shënoi 11 pikë, shtatë kërcime e tri asistime.
Tristan Ikpe i shënoi 17 pikë, tetë kërcime e dy asistime, kurse kapiteni Arti Hajdari, i shënoi 19 pikë e katër kërcime.
Bashkimit nuk i ndihmoi loja e mirë e Mack Smithit, që ndeshjen e mbylli me 26 pikë, pesë kërcime e tri asistime.
Ndeshja e së shtunës u zhvillua pa praninë e shikuesve në tribuna. Bashkimi u dënua me një ndeshje pa praninë e tyre, pasi tifozët e klubit prizrenas tentuan të sulmojnë fizikisht gjyqtarët pas fundit të takimit me Golden Eagle Yllin.
Mungesa e tifozëve u ndie që nga fillimi.
Në dy çerekët e parë, Peja i shënoi nga 21 pikë, derisa e ndali Bashkimin në 15 pikë në periudhën e parë dhe në 10 pikë në periudhën e dytë.
Në çerekun e tretë, Peja hyri me epërsi prej 17 pikëve, por e humbi atë me 25:10, dhe sfida u desh të vendosej në çerekun e fundit, në të cilën pejanët patën vetëm dy pikë më shumë, 52:50.
Por, Peja shfaqi më shumë në çerekun vendimtar dhe nuk lejoi befasi në këtë ballafaqim. E fitoi dhjetë minutëshin e fundit me rezultatin 21:13, për fitoren e radhës.
Të dielën luhen edhe dy ndeshje të tjera, Vëllaznimi – Sigal Prishtina dhe Proton Cable Prizreni – Golden Eagle Ylli.