Bora e ka fituar bindshëm përballjen e fundit të tabelës në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të dielën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, Bora mposhti Proton Cable Prizrenin me rezultat 90:71.

Skuadra prishtinase e fitoi çerekun e parë me rezultat 22:10, ndërsa të dytin me 21:16. Në pjesën e dytë e mbajti epërsinë e lartë.

Jetmir Zeqiri udhëhoqi Borën me 13 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime. Adem Mekiq i kishte 13 pikë e pesë asistime. Më efikasi ishte Rrezart Memedi me 17 pikë. Alex Lomaz i shtoi 14 pikë, ndërsa nga 10 i realizuan Besnik Azemi, Dion Haxhosaj e Vonterius Woolbright.

Lenzelle Smith ishte më i miri te Prizreni me 28 pikë, dhjetë kërcime e gjashtë asistime. Darryl Jordan i kishte tetë pikë, tetë kërcime e katër asistime.

Ndeshja i takoi xhiros së 13-të. Bora mbetet e fundit me 15 pikë, por një ndeshje më pak të luajtur. Prizreni është i parafundit me 16 pikë.