Mediume të ndryshme spanjolle raportuan të hënën se trajneri italian, Carlo Ancelotti, do të largohet nga Real Madridi në fund të këtij edicioni.
Por Ancelotti të martën i demantoi të gjitha këto raportime.
Ai gjatë konferencës për shtyp deklaroi se nuk ka vendosur që të largohet nga Reali.
65-vjeçari Ancelotti madje dëshiron që të qëndrojë edhe për katër vjet te “Los Blancos”.
“Absolutisht nuk kam vendosur të largohem nga Real Madridi. Shpresoj të qëndroj edhe për katër vite të tjera, njësoj si Florentino Perezi. Kjo do të ishte perfekte për të bërë një lamtumirë të madhe bashkë me Perezin në vitin 2029. Ndihem i dashur nga të gjithë këtu, si nga klubi po ashtu edhe nga tifozët. Ndonjëherë njerëzit ekzagjerojnë, por ndjenja ime është e qartë”, ka thënë Ancelotti.
Ancelotti është trajneri më i suksesshëm në histori të Realit.
Madridi prej të dielës është lider në La Liga dhe po ashtu është në garë për trofetë e tjerë.