Bora ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të mërkurën mbrëma në Prishtinë, Bora fitoi ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 93:80.

Ndeshja i takoi xhiros së 15-të, përkatësisht të parës për stinorin pranveror.

Bora e fitoi çerekun e parë me rezultat 20:18, ndërsa shkëputjen e bëri në  çerekun e dytë, të cilin e fitoi 23:12. Dominimi i skuadrës prishtinase ka vazhduar edhe në pjesën e dytë.

Bora tani ka pesë fitore e dhjetë humbje, ndërsa Ylli i Suharekës ka shtatë fitore e tetë humbje. Bora është rritur ndjeshëm si skuadër në javët e fundit. Ka shënuar fitore edhe ndaj Proton Cable Prizrenit, Sigal Prishtinës, Bashkimit e Vëllaznimit.

Adem Mekiq udhëhoqi Borën me 16 pikë, 13 kërcime e nëntë asistime. Desmond Cambridge i kishte 26 pikë, dy kërcime e dy asistime. 20 pikë e tetë kërcime i shtoi Jetmir Zeqiri, ndërsa Henrik Shirko i realizoi 12 pikë e katër kërcime.

Tek Ylli u dallua Jan Palokaj me 26 pikë e pesë kërcime. Lis Shoshi i kishte 10 pikë e 13 kërcime, ndërsa kapiteni Gëzim Morina realizoi 15 pikë e pesë kërcime. William Tavares i kishte 16 pikë.