Pas dy barazimeve rresht në Premier League, Chelsea të hënën mbrëma ka shënuar fitore bindëse ndaj Wolverhamptonit. Chelsea e fitoi 3:1 në shtëpi ndeshjen e javës së 22-të të elitës së futbollit anglez.
Chelsea kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 24-t. Golin e parë për Chelsean e shënoi Tosin Adarabioyo. Por pjesa e parë përfundoi baras, 1:1 pas golit të shënuar nga Matt Doherty në minutën e pestë shtesë të pjesës së parë.
Megjithatë, Chelsea e nisi furishëm pjesën e dytë dhe shënoi dy gola të shpejtë. Në minutën e 60-të për 2:1 realizoi gol Marc Cucurella, ndërsa pesë minuta më vonë, Noni Madueke shënoi golin e tretë për 3:1. Më gola tjerë nuk pati dhe Chelsea arriti fitoren e 11-të nga 22 ndeshje në Premier League.
Me fitore është ngritur në vendin e katërt me 40 pikë. Ka dhjetë pikë më pak se lideri Liverpooli, ndërsa Wolverhamptoni zë vendin e 17-të me 16 pikë.