Në nëntor të vitit të kaluar, Kosova e mbylli një tjetër kampanjë pa e arritur synimin.
Për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve, që nisi në shtator, synimi i Kosovës ishte vendi i parë dhe kështu promovimi në Ligën B. Por Kosova e mbylli kampanjën pa e realizuar synimin kryesor. Në fakt e mbylli e dyta në grup me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë.
Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka pranuar se përfaqësuesja nuk ka realizuar synimin.
“Mendoj se jemi pak të zhgënjyer që përfunduam vetëm të dytët në grupin tonë, veçanërisht pasi ndeshja e fundit në Rumani tregoi se ishte e mundur më shumë në këtë grup. Islanda ka një ekip shumë dinamik dhe atletik. Shumë prej lojtarëve të tyre luajnë në liga të forta jashtë vendit. Megjithatë, nëse mund të ndërtojmë mbi performancat e vitit 2024, veçanërisht nëse luajmë si në ndeshjen e fundit jashtë fushe në Rumani, atëherë kemi shanse shumë të mira të përballemi me Islandën dhe, mbi të gjitha, të ngjitemi në Ligën B”, ka thënë Foda për Federatën e Futbollit e Kosovës pas kampit katërditorë me lojtarë potencial për Kosovën A që u organizua në Prishtinë.
Trajneri gjerman Foda e mori drejtimin e Kosovës në shkurt të vitit të kaluar.
Ai debutoi me fitore, por vetëm në miqësore ndaj Armenisë. Më pas Kosova humbi miqësoret ndaj Hungarisë e ndaj Norvegjisë, kurse më 6 shtator në Prishtinë humbi 3:0 nga Rumania në nismë të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve.
Ajo humbje thuajse caktoi fatin e Kosovës, sa i takon realizimit të synimit për kampanjën e kësaj vjeshte. “Dardanët” më pas lidhën fitoret ndaj Qipros, 4:0 në udhëtim ndaj Lituanisë, 2:1 në udhëtim dhe ndaj Qipros, 3:0 në shtëpi. Më 15 nëntor ndeshja mes Rumanisë e Kosovës u ndërpre. Pas thirrjeve të tifozëve rumunë “Serbia, Serbia”, lojtarët e Kosovës braktisën fushën dhe refuzuan të kthehen. Rezultati ishte 0:0 kur ndeshja u ndërpre në minutat shtesë. Rumania e fitoi me rezultat zyrtar 3:0 ndeshjen. Vendimin e UEFA-s, Kosova e ka apeluar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Ende nuk është marrë vendim nga CAS-i për ndeshjen Rumani – Kosovë.
Edicionin e katërt të Ligës së Kombeve, Kosova e mbylli me fitore me shumë mund, 1:0 ndaj Lituanisë.
Në mars, Kosova do t’i zhvilloj dy ndeshjet të plejofit kundër Islandës. Më 20 mars e pret në Prishtinë, kurse pas tri ditësh ndeshja kthyese do të luhet në Murica të Spanjës.
Plejofi mes Kosovës dhe Islandës vendos për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve.
“Në përgjithësi, mund të jemi shumë të kënaqur me vitin 2024. Ekipi është zhvilluar jashtëzakonisht mirë gjatë dhjetë muajve të fundit. Tani kemi një dinamikë të shkëlqyer, konkurrencë të fortë brenda grupit dhe mbi të gjitha, një frymë të madhe ekipi. Tani, thjesht duhet të vazhdojmë këtë progres në vitin 2025. Jam shumë i sigurt se në ndeshjet e ardhshme kundër Islandës, do të performojmë mirë edhe atje”, është shprehur Foda
Foda ka folur edhe për kampion që përfundoi të mërkurën. Ka thënë se lojtarët që ishin pjesë e kampit janë e ardhmja e Kosovës.
“Mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen të vazhdojmë të mbajmë kampe të tilla stërvitore, sepse këta janë lojtarët tanë të së ardhmes, talentet tona për të ardhmen. Duhet t’i kultivojmë dhe t’i zhvillojmë më tej. Siç e përmenda tashmë, do të jetë thelbësore për ne të mbështesim këta lojtarë të rinj në të ardhmen. Shumë prej tyre tashmë luajnë jashtë vendit, ndërsa të tjerë luajnë këtu në ligën vendase. Duhet t’i shoqërojmë, t’i promovojmë, t’i zhvillojmë më tej dhe të përpiqemi t’i mbështesim në punën e tyre të përditshme, sepse këta lojtarë përfaqësojnë të ardhmen e Kosovës”, është shprehur Foda.
Në shtator Kosova i nis kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Është përmendur si synim kualifikimi. Shpresohet që synimet mos të mbesin vetëm të tilla kur të përfundojë kampanja kualifikuese.