Lewis Hamilton ka thënë se “ka realizuar ëndrrën”, ndërsa ditën e parë të Ferrarit e ka cilësuar si “epokë të re në historinë e këtij ekipi ikonik”.

40-vjeçari ka nisur përgatitjet për edicionin debutues me skuderinë e Ferrarit në Formula 1. Ai u paraqit të hënën në fabrikën e Ferrarit në Maranello të Italisë.

Kampioni i shtatëfishtë i botës firmosi me Ferrarin në janar të vitit të kaluar, por obligimet kontraktuale me Mercedesin nuk lejuan kontaktet përmbajtjesore me Ferrarin deri në fund të vitit. “Janë disa ditë që e di se do t’i mbash mend gjithë jetën dhe sot, dita ime e parë si ngasës i Ferrarit, është prej atyre ditëve”, ka thënë Hamilton në një postim në rrjete sociale.

“Isha mjaftueshëm me fat për të realizuar gjëra në karrierën time që mendoja se ishin të pamundura. Por një pjesë e imja është mbajtur gjithmonë pas asaj ëndrre për të garuar me ngjyrën e kuqe. Nuk mund të jem më i lumtur që e realizoj këtë ëndërr sot. Sot po e fillojmë një epokë të re në histori të këtij ekipi ikonik dhe mezi pres të shoh se çfarë rrëfimi do të shkruajmë së bashku”.

Hamiltoni e ka kaluar ditën e parë duke takuar persona të rëndësishëm. Është njoftuar me fabrikën dhe me ekipin. 

Ferrari njoftoi se Hamiltoni ka bërë një xhiro me shefin e ekipit, Frederic Vasseur dhe shefin ekzekutiv, Benedetto Vigna “në shtëpinë Fiorano dhe në garazh, duke përfshirë një vështrim në zyrën e famshme nga ku themeluesi Enzo Ferrari shikonte ekipin e tij duke punuar”.

Hamitloni më pas është takuar me ekipin drejtues dhe nënkryetarin Piero Ferrari, ndërsa ka pasur një program shumë të ngarkuar takimesh.

“Puna vazhdon nesër me më shumë takime teknike dhe informuese, ndërsa përgatitjet po zhvillohen për një stinor shumë të ngarkuar”, vazhdon njoftimi i Ferrarit.

Britaniku pritet të drejtojë një makinë F1 të vitit 2023 në pistën e testimit të Ferrarit në Fiorano më vonë gjatë javës. Ferrari 2025 do të prezantohet më 19 shkurt. 

Për herë të parë në karrierën 18-vjeçare të Hamiltonit në Formula 1, ai do të drejtojë makinë që nuk përdor motor të Mercedesit.

Testimi zyrtar parasezonal i Formula 1 është në Bahrein prej 26 deri më 28 shkurt, ku Hamilton dhe Charles Leclerc  do të kenë tri ditë prova të barabarta. 

Hamiltoni do të ketë një vend për të jetuar në Itali, për përshtatje me Ferrarin, i cili konsiderohet si ekip kombëtar. Hamiltoni titullin e parë e ka fituar në vitin 2008, ndërsa të fundit në vitin 2020. Ka 105 fitore në garat e Formula 1, ndërsa në podium ishte 202 herë.