Të martën në Prishtinë ka nisur gara IHF Trophy për zonën evropiane, për hendbollistët e grupmoshës U18 dhe U20. Kampionati është për vendet me hendboll në zhvillim, por ofron mundësi për kualifikim në Botëror me të dy grupmoshat. Fituesit e zonës evropiane kualifikohen për fazën ndërkontinentale, ndërsa fituesit e fazës ndërkontinentale kualifikohen në Botëror.

Në grupmoshën U18 janë shtatë përfaqësuese të ndara në dy grupe. Te U20 janë katër përfaqësuese.

Kosova U18 fitoi me rezultat bindës, 35:26 ndaj Moldavisë, në kuadër të grupit B. Në grupin A, Gjeorgjia fitoi 44:24 ndaj Qipros, ndërsa Britania e Madhe e mposhti Shqipërinë me rezultat 50:16.

Ndërkohë Kosova U20 e humbi ndeshjen e parë. Pësoi 24:18 nga Qiproja, duke zvogëluar shumë gjasat për sukses. Në ndeshjen tjetër, Bullgaria fitoi 36:29 ndaj Britanisë së Madhe. Ndeshjet po zhvillohen në Pallatin e Rinisë.