Qazim Laçi ka motiv shtesë për ta mposhtur Interin në Ligën e Kampionëve.
Interi të mërkurën nga ora 21:00 do të luajë në udhëtim ndaj Spartës në Pragë, në kuadër të xhiros së shtatë të “Championsit”.
Reprezentuesi i Shqipërisë, Laçi, në konferencë për shtyp të martën deklaroi se Milani është skuadra që e favorizon në Serie A dhe për këtë arsye ka motiv shtesë që ta mposht Interin.
“Interi nuk është ekipi im i preferuar në Itali, Milani është. Kështu që unë kam një motivim edhe më të veçantë dhe kam një arsye më shumë për ta mposhtur Interin”, deklaroi Laçi, shkruan “Calcio Addict”.
Tek Interi luan mesfushori tjetër i Shqipërisë, Kristjan Asllani.
Laçi thotë se nuk ka kontaktuar me Asllanin.
“Ne nuk kemi folur ende me njëri-tjetrin, as nuk i kemi shkruar njëri-tjetrit. Dhe nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Ai thjesht do të jetë kundërshtari im për 90 minuta”, shtoi Laçi.
Te Sparta e Pragës luajnë edhe Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi dhe Indrit Tuci.
Por ky i fundit nuk do të jetë i gatshëm ndaj Interit për shkak se është i sëmurë.