Trajneri i njohur shqiptar, Mirel Josa, është emëruar trajner i ri i Vëllaznimit. Pak orë pasi njoftoi për shkëputjen e kontratës me trajnerin Leotrim Krasniqi, Vëllaznimi të enjten ka prezantuar Josën, i cili në të kaluarën ka drejtuar skuadrën e Prishtinës.
Nën drejtimin e Josës, Prishtina fitoi Kupën e Kosovës. Josa ka drejtuar me shumë sukses edhe skuadrën e Tiranës, Skënderbeut dhe Vllaznisë. Me këtë të fundit fitoi Kupën e Shqipërisë. Suksesin më të madh e ka arritur me Skënderbeun. Fitoi katër tituj të kampionit dhe dy Superkupa.
Një titull dhe një Kupë të fituar e ka edhe me Tiranën. “Me kënaqësi ju njoftojmë që KF Vëllaznimi ka arritur marrëveshje me Trajnerin e mirënjohur Mirel Josa. Josa nga sot e ka filluar detyrën e shefit të shtabit teknik në klubin kuqezi dhe përgatitjet për stinorin pranveror.
Mirel Josa një emër i njohur në futbollin mbarëshqiptar, me një përvojë të jashtëzakonshme dhe një vizion të qartë për të vazhduar me KF Vëllaznimin”, shkruan në njoftimin e klubit gjakovar.