Atalanta shënoi fitore të thellë, 3:0, ndaj Napolit më 3 nëntor në kuadër të javës së 11-të të Serie A.

Dhe Napoli tashmë e ka shansin që të revanshohet.

Derbi i xhiros së 21-të të kampionatit italian mes Atalantas dhe Napolit do të luhet të shtunën nga ora 20:45 në Bergamo. 

Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte, Napoli, është lider me 47 pikë nga 20 ndeshje të zhvilluara.

Atalanta ka tri pikë më pak dhe është në vendin e tretë.

Në rast të fitores, skuadra e Berat Gjimshitit, Atalanta, do t’ia rrezikonte pozitën e parë skuadrës së Amir Rrahmanit, Napolit.

Derbi tjetër që luhet të shtunën është ai ndërmjet Juventusit dhe Milanit. Kjo ndeshje fillon në ora 18:00.

Milani është i pamposhtur në shtatë ndeshjet e fundit si mysafir ndaj Juventusit në të gjitha garat.

Ndërsa Juventusi nuk ka humbje në 28 ndeshjet e fundit në Serie A.

Ditë më parë skuadra e drejtuar nga trajneri Sergio Conceiçao, Milani, e eliminoi Juventusin në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë.

Juventusi është në pozitën e pestë me 34 pikë. Është ekipi i vetëm që nuk ka pësuar ende disfatë këtë edicion.

Milani ka tri pikë më pak dhe renditet në pozitën e shtatë.

Kampioni në fuqi i Serie A, Interi, të dielën e pret Empolin nga ora 20:45.

Interi pas 19 ndeshjeve të luajtura ka 44 pikë dhe është zë vendin e dytë me 44 pikë.