Trepça e Sigal Prishtina tradicionalisht kërkojnë trofetë e basketbollit kosovar. Por vetëm njëra prej këtyre dy skuadrave do të jetë në finale të Kupës së Kosovës për edicionin 2024/2025.

Dy skuadrat me traditë do të përballen në gjysmëfinale, ndërsa do të kenë dy ndeshje. Ndeshja e parë është të mërkurën prej orës 19:00 në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Ndeshja nuk zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, për shkak të një aktiviteti ndërkombëtar të hendbollit në atë palestër.

Për këtë edicion ka ndryshuar formati i garës për Kupë. Më nuk zhvillohet i gjithë turneu në një vend, brenda një jave. Tetë skuadrat e Superligës e kanë nisur garën me ndeshjet çerekfinale. Edhe çerekfinalet u zhvilluan në dy ndeshje.

Trepça ishte bindëse ndaj Proton Cable Prizrenit në të dyja ndeshjet. Punë dukshëm më të vështirë kishte Prishtina. Skuadra e kaltër ndeshjen e parë e humbi nga Peja me rezultat 74:71, ndërsa në ndeshjen e kthimit, në Prishtinë, fitoi me rezultat 77:68. Ndeshjet çerekfinale janë zhvilluar në fillim të dhjetorit.

Tani është koha për ndeshjet e para gjysmëfinale, ndërsa ndeshjet e kthimit janë në fund të janarit.

Trepça është lidere në Superligë me 28 pikë, përkatësisht me bilanc prej 12 fitoresh e katër humbje. Prishtina është e katërta, ndërsa ka tetë fitore e tetë humbje.

Në kuadër të xhiros së katërt, Prishtina kishte fituar në Mitrovicë me rezultat 82:76. Në xhiron e 11-të Trepça fitoi në Prishtinë me rezultat 81:68. Shumëçka ka ndryshuar te skuadrat në krahasim me ato dy ndeshje, sidomos te Prishtina.

Në fundjavë, në kuadër të xhiros së 16-të, Trepça fitoi 91:68 ndaj Yllit, ndërsa Prishtina me shumë mund e mposhti Borën me rezultat 86:83.

Të mërkurën prej orës 19:00 është edhe ndeshja mes Vëllaznimit dhe Bashkimit. Këto dy skuadra u përballën të dielën në Prizren, ndërsa Bashkimi fitoi 84:73.

Prizrenasit synojnë tjetër fitore, por “kuqezinjtë” kanë plane të tjera dhe shpresojnë për vend në finale.

Bashkimi është i dyti në tabelë me 27 pikë, përkatësisht me 11 fitore e pesë humbje. Vëllaznimi renditet i pesti me 24 pikë. Gjakovarët kanë tetë fitore e tetë humbje.

Në çerekfinale Vëllaznimi e eliminoi Yllin. Në “Shani Nushi” fitoi me rezultat 100:82, ndërsa në Suharekë humbi 98:91. Bashkimi e eliminoi Borën duke e mposhtur me rezultat të thellë në të dy takimet.

Fituese në fuqi e Kupës së Kosovës është Trepça.