E ardhmja e sulmuesit të Rubin Kazanit, Mirlind Dakut, pritet të mësohet në ditët e ardhshme. 
Për 27-vjeçarin është folur shumë se mund të ndërrojë skuadër, por jo edhe kampionat.

Ka edhe raportime se për të janë interesuar ekipe nga Serie A e Italisë dhe Ligue 1 e Francës. 
Në një intervistë dhënë për mediumin “Championship”, Daku ka thënë se deri tani ka spekulime dhe asgjë konkrete. 
Është thënë po ashtu se edhe Spartaku i Moskës ka shprehur interesim për t’i siguruar shërbimet e tij.

“Të gjithë e dinë se Spartaku është skuadër e madhe. Por, nuk ka asgjë konkrete. Askush nuk ka folur me mua apo me menaxherin tim. Nuk kam çfarë të them për këtë, përveç se Spartaku është njëra prej skuadrave më të mëdha në Rusi”, ka deklaruar Daku për mediumin “Championship” të mërkurën.

Një ditë më herët, të martën, Daku kishte theksuar se interesimi për të është sinjal i mirë se po shfaq formë të lartë në fushën e lojës.

Në të njëjtën ditë, mediumi rus, “Match TV”, ka shkruar se për Dakun po interesohet edhe një skuadër e elitës franceze, por emri i skuadrës nuk është përmendur.

Daku ka luajtur me Shqipërinë në verën e vitit të kaluar në Kampionatin Evropian që u organizua në Gjermani. 
Në edicionin aktual, pas 17 ndeshjeve të zhvilluara në elitën ruse, ka nëntë gola e pesë asistime.

Kontrata e tij me Rubin Kazanin skadon në qershor të vitit të ardhshëm.

Ai në verën e vitit 2023 u transferua te Rubini nga Osijeku kroat për 1.2 milionë euro.