Kontribut direkt në 15 gola në 15 ndeshje kampionale. Xherdan Shaqiri vazhdon të jetë vendimtar te Baseli. Tani i ka gjashtë gola e nëntë asistime në këtë edicion të Superligës së Zvicrës.

Të dielën ishte lojtari më i mirë i ndeshjes në të cilën Baseli barazoi 2:2 me Luganon. Asistoi në golin e parë të Baselit me pasim mjeshtëror, ndërsa shënoi për 2:2 në minutën e 87-të nga penalltia. Edhe penalltinë Baseli e fitoi pas një pasimi të bukur të 33-vjeçarit.

Të gjitha mediat e mëdha zvicerane e kanë shpallur Shaqirin lojtar të ndeshjes. Për të ishte ndeshja e parë kampionale si kapiten i skuadrës.

“Blick” ka shkruar se shiriti i kapitenit ka pasur ndikim pozitiv te Shaqiri, që kishte paraqitje vendimtare, pasi kishte qëndruar i heshtur në tri ndeshjet e fundit kampionale të vitit të kaluar.

“Për dikë që është nga ky regjion, është nder i madh ta drejtosh Baselin në fushë si kapiten”, ka thënë Shaqiri.

Por jo shumë gjëra kanë ndryshuar për ish-reprezentuesin e Zvicrës.

“Prej fillimit jam munduar të udhëheq si lider dhe ta ndihoj ekipin. Mendoj se është dashur t’i fitonim tri pikë. Ne ishim më të mirë në pjesën e parë, Lugano në të dytën. Në fund, ndoshta barazimi është rezultat i drejtë. Vetëm duhet të mos bëjmë gabime të vogla. Duhet të paraqitemi më mirë në vazhdim të kampionatit”, ka shtuar Shaqiri.

Shaqiri e Leon Avdullahu kompletuan ndeshjen te Baseli.

Te Lugano startuan Amir Shaipi, Albian Hajdari, Uran Bislimi e Shkëlqim Vladi. Mbrojtësi Hajdari e shënoi golin e dytë për Luganon, që është lider në Superligën e Zvicrës me 32 pikë. 31 pikë i ka Baseli në vendin e dytë. 31 pikë i ka edhe Lausanne, ndërsa nga 30 i kanë Luzerni, Servette dhe Zurichu. Gara për titull në Zvicër është shumë e fortë.

“Ishte ndeshje e nivelit të lartë. Në pjesën e parë Baseli luajti më mirë. Ne vuajtëm në fushë dhe ishim me fat që barazuam para pushimit. Në pjesën e dytë kishim çdo gjë nën kontroll, deri dhjetë minuta para fundit. Më pas erdhi penalltia që nuk është dashur të ndodhte. Të dy ekipet në fund kanë pasur shanse dhe një pikë në derbi të vërtetë është më mirë se asnjë”, ka thënë Albian Hajdari, që vlerësohet e ardhmja e përfaqësueses së Zvicrës.