Pas pesë humbjeve rresht, Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të mërkurën mbrëma në “Karagaçi”, Ylli mposhti Pejën me rezultatin 83:71.
Ndeshja i takoi xhiros së 18-të të elitës së basketbollit kosovar. Tek Ylli në këtë ndeshje debutoi trajneri i njohur slloven, Alesh Pipan. Ai të martën u prezantua nga klubi suharekas.
Fitoren e kaluar në Superligë, Ylli e kishte më 15 dhjetor. Prej atëherë u mposht nga Vëllaznimi, Proton Cable Prizreni, Bora, Trepça e Sigal Prishtina.
Ndaj Pejës, suharekasit shfaqën dukshëm më tepër se në ndeshjet e kaluara. Kanë mbajtur epërsi solide në shumicën e kohës dhe shënuan fitoren e tetë këtë edicion.
Ylli tani i ka 26 pikë në mesin e tabelës, ndërsa Peja ka 28 pikë në vendin e tretë. Ylli e ka mposhtur për herë të tretë ekipin pejan këtë edicion.
Lis Shoshi kishte statistikat më të mira te suharekasit me nëntë pikë e tetë kërcime. Jan Palokaj i kishte 20 pikë, katër kërcime e tri asistime.
William Tavares i realizoi 13 pikë, 12 i kishte Quade Green, ndërsa nga 11 i shënuan Gëzim Morina e Arian Qallakaj. Kapiteni Morina i kishte edhe shtatë kërcime.
Te Peja, Jonathan Galloway i kishte gjashtë pikë e plot 15 kërcime. Më efikasi ishte Dardan Berisha me 15 pikë. Tristan Ikpe i kishte 12 pikë, ndërsa Amin Hot dhjetë.
Peja kishte pesë fitore në gjashtë ndeshjet e fundit, por shfaqi pak në ndeshjen e së mërkurës.