Dy prej ish-lojtarëve të rëndësishëm të Kosovës, Anel Rashkaj e Hekuran Kryeziu, janë angazhuar nga Federata e Futbollit e Kosovës në përfaqësueset e grupmoshave të reja.
FFK-ja i ka prezantuar Rashkajn e Kryeziun si dy nga ikonat e përfaqësueses, ndërsa ata fillimisht do të jenë ndihmëstrajnerë në përfaqësueset U19 e U21.
“Anel Rashkaj do të jetë ndihmëstrajner i Kombëtares U19, si dhe pjesë e Departamentit Teknik të FFK-së, duke sjellë përvojën e tij të çmuar nga fusha e gjelbër për të udhëhequr të rinjtë drejt suksesit. Hekuran Kryeziu do të jetë ndihmëstrajner i Kombëtares U21, duke kontribuar me dijen dhe pasionin e tij për të zhvilluar brezin e ardhshëm të futbollistëve”, ka njoftuar FFK-ja të hënën.
Rashkaj ishte kapiten i Kosovës për shumë vjet dhe është shquar për kreativitetin në mesfushë.
Në mesfushë ka luajtur edhe Kryeziu. Sa ishte ai në kulm të karrierës, Kosova ka pasur mesfushën më stabile deri më tani.
Rashkajn e Kryeziun të hënën i priti në takim kryetari i FFK-së, Agim Ademi.
“Hekurani dhe Aneli kanë dhënë shumë për Kombëtaren tonë si lojtarë dhe tani është koha që ata të vazhdojnë të kontribuojnë në një rol të ri. Jam i bindur që përvoja e tyre do të jetë një aset i çmuar për të rinjtë tanë dhe zhvillimin e ekipeve tona zinxhirë të kombëtares”, ka thënë Agim Ademi.
35-vjeçari Rashkaj është shprehur i lumtur që sërish do të jetë pjesë e përfaqësueseve.
Ai ka bërë karrierë kryesisht në Suedi. Për Kosovën ka luajtur deri në vitin 2020, me shkëputje. Ishte lojtar i rëndësishëm në miqësoret e para të Kosovës, të luajtura me leje të FIFA-s, prej vitit 2014 e tutje.
“Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar që përsëri jam pjesë e Federatës së Futbollit të Kosovës, tani në një aspekt tjetër, si trajner. Do të jem i angazhuar në Kombëtaren U19 dhe gjithashtu do të jem i angazhuar në Departamentin Teknik për zhvillimin e futbollit. Pas përvojës shumëvjeçare si futbollist në elitën e futbollit në Skandinavi dhe sidomos si lojtar i Kombëtares së Kosovës nga viti 2008, pas rrugëtimit të gjatë që kemi pasur, të rikthehem sërish është një kënaqësi e madhe. Mendoj dhe shpresoj që do të jap kontributin tim nga përvoja ime e gjatë si lojtar, por edhe në aspektin menaxherial që kam. E di saktësisht se në çfarë duhet të fokusohemi dhe do ta jap maksimumin tim”, ka thënë Rashkaj për FFK-në.
Hekuran Kryeziu është ende 31-vjeçar, por tashmë i ka dhënë fund karrierës si lojtar. Është rritur në Zvicër ku ka luajtur për Luzernin, Zurichun dhe Winterthurin. Pas karrierës me grupmoshat e reja të Zvicrës, i luajti 30 ndeshje për Kosovën, nga viti 2015 e deri në vitin 2023. Është shquar për punën e madhe në mesin e fushës. Ka formuar partneritet shumë stabil me Herolind Shalën në ciklet më të suksesshme kualifikuese të Kosovës.
“Jam shumë i lumtur të rikthehem në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe i falënderoj të gjithë për këtë mundësi. Unë do të jem ndihmëstrajner i Kombëtares U21 të Kosovës dhe shikoj përpara për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me trajnerin legjendar të Kosovës, Afrim Toverlani. Mezi po pres të nis këtë projekt”, ka thënë Kryeziu.
Derisa Tovërlani është trajner i Kosovës U21, Adil Maliqi po të hënën njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i selektorit të Kosovës U19. Ai është vlerësuar lart për punën që e ka bërë me këtë grupmoshë dhe lojtarët që ka afruar.
FFK-ja ka nisur më herët afrimin në përfaqësuese të ish-lojtarëve të Kosovës. Ish-portieri Samir Ujkani tashmë mban pozitë të rëndësishme në përfaqësuesen A.