“Jam vetëm 21-vjeçare”. Kështu thotë Riola Xhemaili në një intervistë për “20 Minuten”. Pavarësisht kësaj, talentja e madhe e futbollit të Zvicrës ka provuar shumë më tepër në karrierë se lojtaret e tjera të kësaj moshe.
Në moshën 15-vjeçare ishte kapitene Baselit. Ende është njëra prej lojtareve më të reja në histori të Zvicrës. Debutoi në vitin 2020 në moshën 17-vjeçare.
Xhemaili, që i ka 29 ndeshje me përfaqësuese, fitoi përvojë në Bundesligë te Freiburgu. Më pas kaloi te njëra prej skuadrave më të mëdha në botë për futbolliste, Wolfsburgu. Si zëvendësuese, e fitoi Kupën e Gjermanisë. Dhe tani po shkëlqen në Eindhoven.
Ka edhe vështirësi, natyrisht.
Te Wolfsburgu ka luajtur më pak se që ka pritur. Para Botërorit 2023 u largua papritur nga ekipi, nga selektorja e atëhershme, Inka Grings.
“Ajo duhet të investojë më shumë”, kishte thënë Grings.
Riola po e shijon kohën në Eindhoven të Holandës. Në verë e vazhdoi kontratën me Wolfsburgun dhe u huazua te PSV-ja.
“Wolfsburgu vërtet ka dashur të më mbajë dhe nuk ka dashur të më shesë. Por unë kam dashur të lëviz”, shpjegon Xhemaili.
“Arsyeja e vetme ishte Kampionati Evropian në shtëpi, në Zvicër. E kam ditur se më duhet kjo kohë e lojës dhe që më duhet të punoj për vetëbesim. Dhe këtë mund ta bëj vetëm duke luajtur”.
Në 11 ndeshje ajo ka realizuar pesë gola dhe ka përgatitur tre të tjerë. Trajneri llogarit në të. Xhemaili ishte në përbërjen bazë në të gjitha ndeshjet. Është pjesë vendimtare e ekipit.
“Jam duke lulëzuar. Mund të tregoj kualitetet e mia këtu, nga fillimi e deri në fund”.
Prej cilësive të Riolës është kuptimi i futbollit, inteligjenca në lojë, teknika e mirë dhe loja me kokë.
Falë lojtares së Zvicrës, Eindhoveni po paraqitet në tri gara. Tre trofe janë të mundur këtë edicion.
“Eindhoveni si qytet është më i madh se Wolfsburgu dhe dukshëm më i gjallë. Njerëzit këtu e duan jetën, moti është i mirë, të gjithë janë jashtë. Kjo ndryshon në Zvicër e Gjermani, ku nuk ka shumë gjëra për të bërë”, thotë futbollistja.
Ajo e ka apartamentin e saj në metropolin holandez.
Është në kontakt të vazhdueshëm me familjen, ndonëse qindra kilometra larg. Flet çdo ditë në telefon me prindërit dhe vëllain binjak, Rionin, që luan për ekipin e dytë të Winterthurit.
“Jo vazhdimisht jemi në lidhje fizike, por jemi vazhdimisht në kontakt përmes telefonit”, thotë ajo duke qeshur.
Të njëjtin disponim e ka edhe kur flet për Evropianin që mbahet në verë.
“Është njëra prej gjërave kryesore në karrierën time, pavarësisht se çka vjen më pas”.
Ajo nuk e di saktësisht planin e selektores Pia Sundhage. Por beson që nëse e shfaq më të mirën do ta ketë rastin të luajë.
“Dhe nëse e kem rastin, do të vazhdoj të shfaq më të mirën”.
Artistja e topit qesh shumë. Shihet që e shijon futbollin. Dhe që e shijon jetën. E di se çka thotë dhe se mund ta mbrojë veten. Vjeshtën e kaluar, për shembull, kur ajo dhe familja e saj ishin abuzuar në baza racore në rrjetet sociale, për shkak të origjinës, Xhemaili foli qartë në një video të gjatë.
“Mund të përballem me urrejtjen ndaj meje, mund t’ia dal. Por urrejtjen ndaj familjes? Nuk e pranoj këtë. Luftoj kundër kësaj. Ta mbroj familjen time është gjëja më e rëndësishme për mua”.
Ajo dëshiron të jetë edhe më e suksesshme.
“Gjithnjë dua më shumë, jam gjithnjë e uritur. Kam varësi ndaj suksesit gjithnjë e më shumë”, thotë Riola Xhemaili.