Donat Rrudhani është njëri prej shumë futbollistëve kosovarë që paraqiten në Superligën e Zvicrës.
Në fillim të karrierës, Rrudhani e ka konsideruar futbollin vetëm si hobi. Prioritet e kishte shkollimin.
Si 17-vjeçar kaloi në nivelin e të rriturve dhe fillojë të luajë për skuadrën që bënte gara vetëm në kategorinë e dhjetë të futbollit francez, Brunstattin. Pas një viti u transferua te skuadra zvicerane, Timau.
Në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”, reprezentuesi i Kosovës tregoi se Timau e ftoi për një seancë stërvitore por se ai kishte një kërkesë.
“Futbolli ishte ëndrra ime, por në atë moment ishte thjesht një hobi. Synoja një arsimim të mirë. Kam marrë pjesë në një turne me futbollistë amatorë ku kam luajtur në të njëjtin ekip me babin tim. Një ish-koleg i babait tim ishte anëtar i klubit Timau dhe më pyeti nëse doja të bëja një seancë stërvitore me ta. E përfundova seancën dhe ata thanë se më donin vërtetë. Megjithatë, më është dashur të bëj një kërkesë të vogël. Për shkak se nuk kisha ende patentë-shofer, e pyeta Timaun nëse mund të paguante biletën time të trenit dhe kjo funksionoi”, ka thënë Rrudhani.
Nga Timau në vitin 2018 u transferua te skuadra tjetër zvicerane, Black Stars.
Ai thotë se nuk kishte dëshirë që të transferohej te Black Stars sepse shkollimi ishte më i rëndësishëm.
“Baseli është i vogël dhe Black Stars vunë re që unë luajta disa lojëra të mira. Në fillim nuk doja të kaloja te Black Stars sepse shkolla ishte më e rëndësishme në atë pikë. Pas disa bisedave me babain tim dhe disa lojtarë të Black Stars, vendosa të ndryshoja”.
Te Black Stars qëndroi një vit dhe në gusht të vitit 2019 u transferua te skuadra që bën gara në kategorinë e dytë të futbollit zviceran, Aarau.
Kur Aarau shfaqi interesim për të, Rrudhani nuk e njihte klubin.
“Në fillim as që e dija se cili klub ishte në të vërtetë. Aarau nuk njihej në Francë. Vetëm kur kërkova në ‘Google’ lojtarët, pashë se kjo ishte serioze. Mu desh shumë kohë për të vendosur. Në të njëjtën kohë, u pranova në një universitet të mirë në Francë. Nëna ime fillimisht ishte pro universitetit. Por ajo shpejt e kuptoi se futbolli ishte ëndrra ime”, thotë Rrudhani.
Tek Aarau qëndroi tre vjet. Në verën e vitit 2022, bëri hap të madh duke u transferuar te gjiganti zviceran, Young Boys.
Nga Young Boysi në shkurt të vitit të kaluar u huazua te Lausanne-Sport, ku qëndroi vetëm gjashtë muaj. Në korrik u huazua sërish nga Young Boysi, këtë herë te Luzerni.
Te Luzerni është prej futbollistëve me formën më të mirë. 25-vjeçari ka pesë gola dhe tri asistime këtë edicion.
Por statistikat personale nuk i bëjnë përshtypje. Ai dëshiron që së bashku me ekipin të kenë suksese.
“Është një ekip shumë familjar. Unë nuk jam adhurues i madh i statistikave apo vlerave personale. Unë thjesht dua gjithmonë sukses maksimal në ekip dhe sigurisht që gjithmonë dua të përmirësohem”, thotë Rrudhani.
Kosovari ka folur për “Blick” edhe për periudhën para futbollit. Ka thënë se në moshën 12-vjeçare për shkak të jetës së vështirë u detyrua që të largohej nga shtëpia e tij në Kosovë.
“Familja vendosi që ne të iknim në Francë. Babai im, nëna ime dhe vëllai im i vogël, i cili në atë kohë ishte njëvjeçar, kishin viza. Unë dhe motra ime e vogël nuk u pajisëm me viza sepse ishim në mes të vitit shkollor. Një ditë babai im më çoi mua dhe motrën deri në kufirin serb. Prej aty kaluam pyllin me valixhet dhe bagazhet tona, natën, për në Hungari. Një makinë na priste në Hungari. Ajo duhej të na kishte çuar në Francë. Mirëpo, nuk arritëm sepse policia hungareze tashmë na priste. Na kishin parë herët, na vëzhguan dhe më pas na arrestuan. Ne të tre duhej të shkonim në një burg hungarez për dy ditë. Ne ende nuk e dinim se çfarë do të ndodhte më pas. Pas dy ditësh më në fund arritëm t’ua shpjegonim përgjegjësve situatën tonë”, tregoi Rrudhani.
Ndonëse kishte udhëtim sfidues, Rrudhani arriti në nivel përfaqësuesesh. Tani luan rregullisht për Kosovën.
Ai ka treguar se si është emocionuar kur e ftuan për herë të parë nga Kosova. Tani me Kosovën do të luajë ndaj Zvicrës.