Xherdan Shaqiri ka zhvilluar një tjetër paraqitje të madhe me fanellën e Baselit. Shaqiri shënoi një gol dhe asistoi një herë në barazimin e Baselit të dielën në derbin kundër Luganos. Ndeshja derbi e Superligës në futboll u zhvillua të dielën dhe i takoi javës së 19-të. Ishte ndeshja e parë e stinorit pranveror.
Lugano mbetet në vendin e parë me 32 pikë, ndërsa Baseli zë vendin e dytë me një pikë më pak.
Shaqiri fillimisht asistoi për spanjollin Kevin që shënoi golin e epërsisë 1:0 në minutën e 24-t. Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë Lugano barazoi rezultatin. Anto Grgic shënoi golin e barazimit. Në fillim të pjesës së dytë, saktësisht në minutën e 53-të, Lugano shënoi golin e epërsisë nëpërmjet mbrojtësit kosovar, Albian Hajdari. Por tre minuta pa përfunduar takimi, kapiteni i ri i Baselit, Xherdan Shaqiri, shënoi gol nga penalltia për t’ia siguruar një pikë Baselit në udhëtim. Shaqiri kompletoi takimin. Deri në fund të takimit për Baselin luajti edhe Leon Avdullahu.
Te Lugano ndeshjen e kompletuan mbrojtësi Hajdari dhe Amir Shaipi, ndërsa deri në minutën e 84-t luajti edhe Uran Bislimi. Në fushë deri në minutën e 71-të u paraqit edhe Shkëlqim Vladi.