Trepça pësoi humbje si mysafire e Sigal Prishtinës në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Kosovës, 67:65. Më pas në xhiron e 17-të të elitës së basketbollit kosovar, u mposht nga Vëllaznimi.

Të enjten mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, “xehetarët” u mposhtën sërish nga Sigal Prishtina.

Ndeshja dramatike e xhiros së 18-të u vendos në sekondat e fundit dhe prishtinasit fituan me dy pikë dallim, 88:86.

Vendësit kishin epërsi prej një pike, kur njërën prej dy gjuajtjeve të lira e realizoi Tekele Cotton, për 86:85.

Ishte edhe pika e fundit e shënuar nga basketbollistët e Trepçës në këtë ballafaqim.

Tyrrel Tate nëntë sekonda para fundit të ndeshjes gjuajti por nuk shënoi. Në sulm topin e rrëmbeu Rashid Mahalbashiq.

Qendra e Sigal Prishtinës shënoi për 87:86, ndërsa trajneri i Trepçës Adis Beqiragiq mori gabim teknik.

Tate e shënoi edhe pikën nga gjuajtja e lirë për 88:86.

Vendësit nuk realizuan në tentimin e fundit dhe ndeshja u mbyll me dy pikë epërsi për vizitorët.

Sigal Prishtina tani i bashkohet Pejës e Vëllaznimit me nga 10 fitore e tetë disfata dhe me 28 pikë në total.

Bashkimi i pari ka 31 pikë, kurse Trepça e dyta ka 30 pikë.

Golden Eagle Ylli në vendin e gjashtë ka 26 pikë, Bora e shtata, përkatësisht e parafundit ka 23 pikë, ndërsa Proton Cable Prizreni i fundit ka 22 pikë.

Në fitoren e Sigal Prishtinës, Tate i kishte statistikat më të mira me 24 pikë, një kërcim e dy asistime.

Jaëachi Nzeakor i kishte 19 pikë, pesë kërcime e një asistim.

Trepçës nuk i ndihmoi kontributi i Michael Myers me 15 pikë, 16 kërcime e dy asistime.

Në xhiron e 19-të, Trepça luan në udhëtim te Proton Cable Prizreni, ndërsa Sigal Prishtina po ashtu në udhëtim, ballafaqohet me Golden Eagle Yllin.