Benfica e Barcelona kanë luajtur superndeshje të martën mbrëma në Lisbonë të Portugalisë. Janë shënuar plot nëntë gola, ndërsa në fund pikët i mori Barcelona.

Barça fitoi 5:4, falë golit të Raphinhas në minutën e 96-të. Fundi ishte i tensionuar, por edhe shumë dramatik. Dramatike e me plot kthesa ishte e gjithë ndeshja.

Greku Vangelis Pavlidis shënoi që në minutën e dytë për 1:0 në të mirë të Benficas. Robert Lewandowski barazoi në 1:1 nga penalltia në minutën e 13-të.

Më pas portieri i Barcelonës, Wojciech Szczesny bëri dy gabime dhe Pavlidis shtoi dy gola të tjerë për epërsinë 3:1 të Benficës. Ai shënoi në minutën e 22-të dhe në minutën e 30-të nga pika e bardhë.

Me rezultatin 3:1 përfundoi pjesa e parë.

Por Barcelona nuk u dorëzua. Raphinha shënoi gol të pazakontë në minutën e 64-t për të ngushtuar rezultatin në 3:2.

Më pas Ronald Araujo i Barçës shënoi autogol për 4:2, në minutën e 68-të.

Lewa realizoi tjetër penallti në minutën e 78-të për të ngushtuar rezultatin në 4:3, derisa Eric Garcia shënoi për 4:4 në minutën e 86-të. Në fund Raphinha ia siguroi fitoren Barcelonës.

Barcelona mbetet e dyta me 18 pikë. Benfica është e 18-ta me 10 pikë.