Portieri i ri, Mustafë Abdullahu ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë. Ai është huazuar nga Tirana te Karlsruhe e Bundesliga 2 të Gjermanisë.
Huazimi është i vlefshëm deri në fund të edicionit, ka njoftuar klubi gjerman të hënën mbrëma.
20-vjeçari është pjesë e Kosovës U21, ndërsa skautët e Karlsruhes e kanë vëzhguar për kohë të gjatë.
Abdullahu deri më tani ishte i huazuar nga Tirana te Malisheva.
“Me Mustafën kemi angazhuar një portier me përvojë. Huazimi do t’i jap atij mundësi të zhvillimit tutje. Kemi përfshirë opsionin e blerjes që na jep mundësi ta transferojmë atë në verë”, ka thënë Sebastian Freis, drejtor sportiv i Karlsruhes.
“Interesimi nga Karlsruhe më ka befasuar. Shikoj përpara drejt sfidave të reja. Dua të mësoj gjëra të reja në secilën stërvitje”, ka thënë Abdullahu.
Për Malishevën shtatlarti i kishte pesë paraqitje në stinorin vjeshtor.
Karlsruhe është e teta në Bundesliga 2.