Fisnik Asllani është një nga golashënuesit më të mirë në Bundesligën 2 të Gjermanisë, me 11 gola. Sulmuesi, i cili është huazuar nga Hoffenheimi tek Elversbergu, kishte oferta gjatë afatit kalimtar të janarit, por i refuzoi.
Asllani në një intervistë për “Transfermarkt”, foli për spekulimet rreth tij, paraqitjet e deritanishme me fanellën e Elversbergut, bilancin personal, ndjesinë kur shënon gola dhe vendimin për ta përfaqësuar Kosovën.
Asllani 22-vjeçar debutoi më 24 shtator të vitit të kaluar me fanellën e Kosovës. Ai luajti nga minuta e 66-të në ndeshjen që Kosova e pati humbur 3:0 nga Rumania në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Para se të debutonte për Kosovën, Asllani luajti për të rinjtë e Gjermanisë, përkatësisht U18 dhe U20.
Asllani thotë se dëgjoi zemrën kur vendosi t’i bashkohet Kosovës.
“Është çështje zemre. Kam kaluar mirë në Gjermani, por bashkë me familjen vendosa të luaja për Kosovën. Është shumë e veçantë sepse prindërit e mi vijnë nga atje. Unë shkoj në Kosovë çdo verë dhe kam anëtarë të tjerë të familjes, si kushërinjtë, dajët, hallat dhe gjyshen. Për ndeshjen e parë me duhej të merrja tridhjetë ose dyzetë bileta. Ishin të gjithë të pranishëm, ishte shumë e bukur. Është ndjenjë e mrekullueshme të jesh lojtar i përfaqësueses”, ka thënë Asllani.
Asllani për Kosovën ka luajtur pesë ndeshje. Ai fitoi rastin të luaj për Kosovën pas paraqitjeve të mira me fanellën e Elversbergut. Për Kosovën nuk ka shënuar gol, por për ekipin gjerman ka realizuar plot 11.
“Nuk ka asgjë më të mirë se të shënosh gola. Topi hyn brenda portës, ju vraponi për të brohoritur dhe shihni tifozët duke festuar, është çmenduri. Sado e keqe të jetë një lojë, gjithmonë bëhet më mirë pas shënimit të një goli. Pastaj tutje gjithçka është ndryshe”, është shprehur shtatlarti. “Dikur shikoja listat e golashënuesve – tani është edhe emri im aty. Ndonjëherë vëllai im më dërgon video në Tiktok dhe më shkruan: Shiko, ata thonë se je lojtari më i mirë në Kategorinë e Dytë, je ky, je ai, unë pastaj them me shaka që nuk jam aq i mirë. Unë shënoj vetëm gola”.
Asllani thotë se pak ka rëndësi nëse do të shpallet në fund të edicionit golashënuesi më i mirë. Ai thotë se e rëndësishme është që ekipi t’i fitojë ndeshjet.
Kolni dhe Union Berlin shprehën interesim për transferimin e Asllanit. Ai thotë se ndihet mirë tek Elversbergu.
“Është mirë kur klubet tjera shprehin interesim. Kjo tregon arritjet tua. Por unë ndihem jashtëzakonisht rehat në Elversberg dhe gëzoj një besim të madh, që do të thotë se mund të zhvillohem më tej këtu dhe pastaj të bëj hapin tjetër në verë. I detyrohem shumë klubit dhe do të doja t’i arrija synimet së bashku me djemtë”, ka thënë Asllani.
Ai me Hoffenheimin ka kontratë deri në vitin 2026.
“Jam i hapur për gjithçka. Unë vetëm do të pres dhe të shoh se çfarë do të ndodhë. Fokusi im është tek Elversberg dhe jam i përqendruar vetëm se si mund të arrijmë më të mirën. Dua ta ndihmoj ekipin me gola, asistime dhe paraqitje të mira”, thotë Asllani.
Asllani pritet të ftohet te Kosova për ndeshjet e muajit mars.