Real Madridi kundër Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve është një supersfidë “aksidentale” në raundin e ri të plejofit që fillon të martën mbrëma.

Dy fituesit e kaluar të Ligës së Kampionëve përfunduan befasisht në mesin e tabelës të ligës me 36 skuadra, fazë që përfundoi në janar. Tetë skuadrat e para shmangën plejofin e fazës nokaut dhe kaluan direkt në një të tetën e finales.

16 skuadrat e tjera që avancuan nga faza e ligës, duke përfshirë Manchester Cityn dhe Real Madridin, do të luajnë nga dy ndeshje në plejof për të bërë vend në një të tetën e finales.

Dhe shorti gjysmë i dirigjuar përcaktoi që Madridi e City të përballen për vend në një të tetën e finales. Për të dy skuadrat mund të ketë qenë synim minimal kalimi në një të tetën e finales. Por vetëm njëra prej tyre do të arrijë atje.

Bayern Munichu e Paris Saint-Germaini janë dy skuadra tjera të mëdha e me ndikim që do të paraqiten në fazën e plejofit. 

Bonusi është për UEFA-n dhe transmetuesit televiziv, që do të kenë në dispozicion dy ndeshje gjigantësh mes Manchester Cityt dhe Real Madridit. 

Kampionit në fuqi, Madridi, do t’i duhen 17 ndeshje për ta mbrojtur titullin. Në edicionin e kaluar i luajti 13 në Champions.

Madridi e eliminoi Manchester Cityn në çerekfinale një vit më parë dhe në dy gjysmëfinalet epike të vitit 2022, para se ta fitonte trofeun. Manchester City e eliminoi Madridin në gjysmëfinale të vitit 2023, në rrugën drejt suksesit të parë në Kupën e Evropës.

Ndeshja e parë mes Cityt dhe Madridit është të martën mbrëma nga ora 21:00 në “Etihad”. Ndeshja e kthimit është në “Santiago Bernabeu” më 19 shkurt.

Është një Manchester City ndryshe në përbërje dhe personalitet, që Pep Guardiola do ta vërë të martën mbrëma përballë madrilenëve.

Ylli i mesfushës, Rodri, është i lënduar, ndonëse është përfshirë në skuadrën e gjerë për Champions. Mesfushori Kevin De Bruyne është poshtë nivelit që kishte për shumë vjet, ndërsa gjasat që City ta fitojë titullin në Premier League thuajse nuk ekzistojnë më. 

Transferimet e reja, Omar Marmoush, në sulm dhe Nico Gonzalez në mesfushë ende po e gjejnë veten. Gonzalezi është lënduar në ndeshjen debutuese në FA Cup. 

Madridi lëshoi pikë në derbin me Atleticon, por mbetet lider në La Liga. Skuadra e Carlo Ancelottit ka vuajtur në fillim të edicionit, por ka gjetur ritmin. Kylian Mbappe, po ashtu kishte vështirësi në fillim, por edhe ai po shënon thuajse rregullisht.

Ka nëntë gola në tetë ndeshjet e fundit.

Derbi francez

Bresti i tejkaloi pritshmëritë duke kaluar me sukses fazën e ligës në edicionin e parë jo vetëm në Champions, por në përgjithësi në futbollin evropian. Përfundimisht te Bresti kanë shpresuar në një kundërshtar jashtë Francës, por shorti i vuri përballë PSG-së.

Skuadrat u takuan javën e kaluar. PSG-ja fitoi 5:2 në Brest, në stadiumin me 15 mijë vende.
Ai stadium në Francën veripërendimore nuk i plotëson kërkesat e UEFA-s, kështu që Bresit ndeshjet si vendas në Champions i ka luajtur dhe i luan në Guingamp, 114 kilometra larg.

PSG-ja nuk ka asnjë humbje që nga 26 nëntori dhe është favorit i madh për të avancuar në 1/8 e finales. Triumfi në Champions është synimi i madh i Parisit. 

Ndeshja Brest – PSG zhvillohet të martën nga ora 18:45. Është ndeshja e vetme e së martës në këtë termin.

Itali – Holandë

Një ndeshje e gjitha franceze ishte e pamundur në 20 vjetët e kaluara, sepse UEFA nuk lejonte përballjen e skuadrave nga i njëjti vend deri në çerekfinale të Championsit. Kjo ndalesë tashmë është hequr.

Mund të kishte derbi holandez dhe italian në fazën e plejofit, por Juventusi përballet me PSV Eindhovenin, ndërsa Feyenoordi me Milanin.

Ndeshja Juventus – PSV është të martën nga ora 21:00, ndërsa Feyenoordi e Milani takohen të mërkurën nga ora 21:00.

Juventusi e PSV-ja përballen për herë të dytë këtë edicion në Torino. Juve fitoi 3:1 ndaj PSV-së në shtator, në ndeshjen e parë të fazës së ligës, prej 144 gjithsej.

Bayerni në kërkim të rrugës për në finale

Bayerni arriti në finale kur titulli i Ligës së Kampionëve u vendos për herë të fundit në stadiumin në Munih. Në vitin 2012, Chelsea fitoi me penallti pas barazimit 1:1.

Shtatë herë kampioni evropian, Bayerni, ka rrugë të gjatë për t’u kthyer në finalen e 31 majit. U rendit vetëm i 12-ti në fazën e ligës. Por Bayerni kishte fat në short. Do të përballet me Celticun skocez e jo me Manchester Cityn.

Ndeshja e parë është të mërkurën nga ora 21:00 në “Celtic Park” në Glasgow. Skuadra bavareze megjithatë është favorite e madhe.

Po të mërkurën, Club Brugge e pret Atalantan, fituesen në fuqi të Ligës së Evropës. Benfica udhëton te Monaco.

Finalisti i vitit të kaluar, Borussia Dortmundi, luan të martën nga ora 21:00 ndaj Sportingut në Portugali. Të dy skuadrat i ndërruan trajnerët së fundi.

Plejofi është fazë e re, por ndeshjet e forta dhe interesante janë të garantuara.