“Ftohtë do të jetë për ne që jemi jashtë, por jam i bindur që për futbollistët brenda në fushë do të jetë shumë nxehtë”.
Kështu e ka paralajmëruar trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, derbin e xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në futboll ndaj Prishtinës, që zhvillohet të shtunën nga ora 17:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Drita udhëton në Prishtinë si lidere e Superligës me 43 pikë. Prishtina ka mbetur prapa në garën për titull, por kërkon njërin prej vendeve që dërgojnë në kupat evropiane në edicionin tjetër.
Trajneri i gjilanasve, Ramadani, në konferencën për shtyp të premten, e ka vlerësuar lart Prishtinën. Ka theksuar se Drita nga tani e tutje do të fokusohet në rezultate e jo në lojë të bukur.
“Kur është në pyetje stinori pranveror, fokusi më tepër do të jetë në arritjen e objektivit sesa në lojën e bukur. Gjithmonë objektivi do të jetë i pari e më pas do të mbështetemi në lojën e bukur. Ndryshe nga stinori vjeshtor kur ekipi mundohej të luante lojë të mirë, të rrjedhshme, agresive e me ritëm të lartë me shumë raste, tani na duhet vetëm trepikëshi në çdo ndeshje”, deklaroi Ramadani.
Të dy ekipet fituan në mesjavë në garën për Kupën e Kosovës dhe avancuan në çerekfinale. Drita i luajti 120 minuta dhe me shumë mund, pas gjuajtjes së penalltive, e eliminoi Dukagjinin e Klinës (5:4).
Ndërkohë Prishtina me shumë lehtësi fitoi 4:0 ndaj Suharekës.
“Përballë kemi skuadrën e Prishtinës që në ndeshjen e fundit në Kupë fitoi 4:0 përballë Suharekës. Një superskuadër, me shumë cilësi, me shumë lojtarë të uritur për ta treguar veten. Por ne mbështetemi te skuadra jonë, objektivi ynë, që është trepikëshi. Jemi në rrugën e duhur, jemi lider të tabelës, gjithçka varet nga ne dhe assesi nuk duhet të bëjmë hapa fals. Duhet ta japim maksimumin siç e japim në çdo stërvitje. Maksimumin do ta japim edhe në ndeshje”, ka theksuar Ramadani.
Në fitoren bindëse të Prishtinës të mërkurën kontribut dha edhe sulmuesi Axel Gnapi. Ai e shënoi golin për 1:0.
Gnapi është përshtatur mirë në ekip dhe ka besim te bashkëlojtarët se fitorja mund të arrihet edhe ndaj Dritës.
“Për momentin unë dhe skuadra jemi në formë të mirë. Kemi pasur përgatitje të mirë në Turqi. Na pret ndeshje e rëndësishme ndaj Dritës, ndërsa mentaliteti i skuadrës në përgjithësi është i shkëlqyer. Nuk e njoh personalisht Dritën, por e di se do të jetë ndeshje ku përkushtimi i lojtarëve i të dyja ekipeve do të jetë i madh. Kemi mundësi të fitojmë dhe do të bëjmë gjithçka për ta arritur atë”, ka deklaruar Gnapi të premten për KOHËN.
Për sulmuesin 23-vjeçar, që u lind në Le Mans të Francës, ishte goli i katërt, përfshirë edhe ndeshjet miqësore në Turqi, qëkur u transferua te “bardhekaltrit” më 22 janar.
Ai ka theksuar se synimi është plasmani sa më i mirë në fund të kampionatit, si dhe triumfi në Kupën e Kosovës.
“Jam pritur shumë mirë nga zyrtarët e klubit, stafi dhe bashkëlojtarët. Qartë se duhej të luftoja për vend në formacionin titullar dhe kjo pashmangshëm kërkon paraqitje të mira. Mendoj se kemi lidhje shumë të mirë me bashkëlojtarët dhe kjo tregohet në fushë. Sa u përket objektivave të mia, dua që ta ndihmoj ekipin të arrijmë në kualifikimet e garave evropiane, ta fitojmë Kupën dhe të qëndrojmë të fokusuar e të vazhdojmë në këtë rrugëtim”.
Prishtina dhe Drita barazuan 1:1 më 6 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa ndeshjen e parë të këtij edicioni me Prishtinën, më 31 tetor, Drita e kishte fituar në Gjilan me shifrat 3:0.
Prishtina fitoren e fundit ndaj Dritës në Superligë e ka regjistruar më 27 nëntor të vitit 2023.
Në xhiron e parë të stinorit pranveror, Prishtina luajti 2:2 me Suharekën, kurse Drita fitoi 2:0 ndaj Malishevës.
Të shtunën nga ora 13:00 luhet ndeshja Suhareka – Dukagjini.
Gjilani – Ballkani dhe Feronikeli 74 – Llapi janë ndeshjet e së dielës, kurse xhiroja mbyllet të martën me ndeshjen Malisheva – Ferizaj.
E shtunë
Prishtina – Drita (17:00)
Suhareka – Dukagjini (13:00)
E diel
Gjilani – Ballkani (13:00)
Feronikeli 74 – Llapi (13:00)
E martë
Malisheva – Ferizaj (13:00)