Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur sërish për Kampionatin Evropian U21 të vitit 2027, që do të organizohet në Shqipëri dhe Serbi. Duka vlerëson se ky kampionat i shërben shumë Shqipërisë dhe se e vendos futbollin shqiptar në qendër të vëmendjes.
Në Kosovë është kundërshtuar dhe vazhdon të kundërshtohet shumë organizimi i përbashkët i Evropianit nga Shqipëria dhe Serbia. Megjithatë nuk ka pasur ende ndonjë reagim nga Federata kosovare e futbollit.
Duka ka thënë se “nuk duhet të mbesim peng të historisë, porse duhet të shohim përpara”.
Ai ka folur në emisionin “Skaner”, ndërsa intervista është publikuar të hënën në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Duka ka treguar se fillimisht Shqipëria aplikoi e vetme për ta organizuar Evropianin 2027, njëjtë si Serbia, Turqia dhe Belgjika. Derisa Turqia dhe Belgjika hoqën dorë, Shqipëria e Serbia u bënë bashkë në kandidaturë.
“Me pragmatizëm, rrugës, ne menduam që bashkimi i dy federatave do të ishte më afër vendimit për ta organizuar. Ne mendojmë që organizimi i një Kampionati Evropian 21-vjeçarësh është një aktivitet i madh dhe shumë i rëndësishëm për futbollin dhe Shqipërinë. Është një aktivitet që promovon futbollin në përgjithësi, promovon futbollistët që do luajnë me Kombëtaren U-21, sepse ekipi do të marrë pjesë si organizator, përmirëson infrastrukturën, vendos futbollin shqiptar në qendër të vëmendjes. Pa dyshim që jemi njerëz të futbollit, por edhe qytetarë shqiptarë. E dimë historinë, por nuk mendojmë se duhet të ngelemi peng i historisë, por duhet të shohim përpara, ne nuk i ndryshojmë as fatet e as gjeografinë”, ka thënë Armand Duka.
Me Evropianin e përbashkët, sipas Dukës, jepet mesazh për paqe e bashkëpunim.
“Ne nuk e rishkruajmë dot historinë, ne nuk amnistojmë askënd, por shohim përpara për të bashkëpunuar dhe shohim të mirën e futbollit. Mesazhi që ne japim është mesazh qytetarie, paqeje dhe bashkëpunimi. Nuk mendoj se i bën keq askujt. I kuptoj ata që kanë sensibilitet për atë që kanë kaluar, por duhet të dish të ndërtosh të ardhmen”, ka shtuar presidenti i FSHF-së.
Duka është njëri prej nënpresidentëve të UEFA-s. Ai është pyetur nëse organizimin e Evropianit me Serbinë ia ka kërkuar Edi Rama. Ka thënë se Ramës i është dukur ideja “fantastike”.
“Rama është kryeministri i vendit, por ai nuk e ka ditur kur ne kemi nisur këtë iniciativë, por pa dyshim që unë e kam pyetur. Që të bësh një Kampionat Evropian, duhet të kesh një bashkëpunim me të gjithë aktorët në vend. Për përgatitjen e dokumentacionit për të marrë pjesë në garë, përfshihen të gjitha institucionet shqiptare. Kemi marrë garanci nga Qeveria, Ministria e Brendshme, organet vendore, bashkitë ku do të organizohen, aeroporti. Nuk mund ta bësh vetëm ti, nëse nuk ke konsensusin e të gjithëve. Për këtë unë i kam thënë kryeministrit në atë kohë të aplikojmë, ta bashkojmë garën tonë me Serbinë? Më ka thënë ‘Fantastike, ta vazhdojmë’. Të gjithë përgatitjen për garën e kemi bërë bashkë me të gjitha institucionet e vendit, përndryshe nuk do të na besohej organizimi”, ka theksuar Duka.
Ai është pyetur edhe nëse opinioni në Kosovë do ta përceptojë më ndryshe ngarjen në të ardhmen. Është përgjigjur se ngjarja është e madhe dhe se Shqipëria do të luajë në qytetet e saj. Ka shtuar se të gjithë do të kënaqen, por nuk ka dhënë përgjigje të saktë në pyetjen që i është bërë.
Për Kosovën megjithatë ka folur në një tjetër pyetje që i është bërë.
“Qëllimi ynë është i mirë, objektivi ynë është pozitiv dhe për të mirën e shqiptarëve kudo që jetojnë, përfshirë edhe Kosovën. Shumica e opinionistëve në Kosovë janë pozitivë për këtë organizim, por për populizëm ndonjëherë bëjnë deklarata ndryshe”, ka thënë Duka.
Duka ka theksuar se me futbollin në Kosovë janë një. Sipas tij, nuk do të vinte në dyshim një kandidaturë e përbashkët me Kosovën, nëse kjo do të ishte e mundur.
“Dhe ne do të ishim shumë të lumtur”.