Ndeshje të vështirë por shumë të rëndësishme ka fituar Dukagjini i Klinës në garën për mbetje në elitën e futbollit kosovar. 

Klinasit të shtunën gjatë ditës në stadiumin e qytetit në Suharekë, e mposhtën skuadrën e Suharekës me rikthim të rezultatit, 2:1. 

Ndeshja i ka takuar xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës. 

Ishin dy gola të sulmuesit të krahut, Altin Merlaku, që ia siguruan pikët e plota skuadrës së drejtuar nga trajneri Ismet Munishi, që ishte pa fitore prej 20 dhjetorit. 

Në stinorin pranveror, Dukagjini u mposht nga Ballkani, ndërsa në Kupën e Kosovës në mesjave, u eliminua nga Drita pas ekzekutimit të penalltive (5:4). 

Suhareka që në xhiron e parë të stinorit pranveror barazoi me Prishtinën 2:2 e më pas u eliminua pikërisht nga kjo skuadër në Kupën e Kosovës pas humbjes 4:0, kaloi në epërsi në minutën dytë shtesë të pjesës së parë. 

Fitim Susuri përfitoi nga një reagim jo i mirë i mbrojtjes mysafire dhe e plasoi topin në portën e portierit Cyrus Margono. 

Vendësit pretenduan në pjesën e parë se iu bë e padrejtë pas një ndërhyrjeje në Leart Eminin, që sipas tyre, është dashur të ndëshkohej direkt me të kuq pasi ishte shumë e rrezikshme. 

Në pjesën e dytë, Dukagjini u kthye në lojë me golin e Merlakut që shënoi për 1:1 në minutën e 73-të. 

Kapiteni i klinasve tre minuta më pas, realizoi supergol nga goditja e dënimit për 2:1 dhe për pikët e plota. 

Suhareka nga minuta e 83-të mbeti pa qendërmbrojtësin Kemal Osmankoviq, që u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë. 

Ekipi i drejtuar nga trajneri Qëndrim Kida nuk e pati më forcën për t’u kthyer në lojë dhe e pësoi humbjen e dytë në tri ndeshjet e fundit në elitë. 

Dukagjini me këtë fitore ka 24 pikë në vendin e shtatë, një më shumë se Ferizaj që e ka një ndeshje më pak të luajtur. 

Suhareka në pozitën e pestë ka 26 pikë, dy më shumë se Gjilani që po ashtu e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. 

Gjilani luan të dielën ndaj Ballkanit, ndërsa Ferizaj udhëton te Malisheva të martën. 

Të dielën luhet edhe ndeshja mes Feronikelit 74 dhe Llapit.