Me 128 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues e kishte dënuar Komisioni i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s, Federatën e Futbollit e Rumanisë për disa shkelje në ndeshjen ndaj Kosovës, të zhvilluar më 15 nëntor.

Ndeshja e ardhshme zyrtare e Rumanisë si vendase është ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Kjo ndeshje, megjithatë, do të luhet me shikues në tribuna.

Kështu ka njoftuar Federata e Futbollit të Rumanisë, të hënën.

Vetëm të hënën u bë e ditur se dënimi i UEFA-s, e që nuk u ndryshua nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), vlen vetëm për gara të Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA). Pra jo edhe për ndeshjet kualifikuese për Botëror.

Ndeshja Rumani – Bosnjë-Hercegovinë është e para kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2026 dhe zhvillohet më 21 mars.

Botërorin, e rrjedhimisht edhe kualifikimet, i organizon Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA).

“Për të shmangur dyshimet, Federata e Futbollit e Rumanisë ju konfirmon se sanksioni nuk do të zbatohet për ndeshjen debutuese të kombëtares rumune në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Kështu, ndeshja do të luhet me shikues në tribuna, pa asnjë pengesë në këtë drejtim. Sanksioni përkatës do të zbatohet në ndeshjen e radhës të organizuar nga UEFA”, shkruan në njoftimin e Federatës rumune.

Federata rumune ishte ankuar në CAS, duke vlerësuar se dënimet e UEFA-s ndaj saj ishin shumë të rënda.

UEFA e regjistroi ndeshjen ndaj Kosovës me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë, por e dënoi edhe Federatën rumune për shkak të disa shkeljeve, ndër të tjera edhe për thirrje të tifozëve.

CAS-i refuzoi ankesën e rumunëve, por të hënën megjithatë u njoftuar se dënimi nuk vlen për ndeshjen e ardhshme.

Ndeshja Rumani – Kosovë ishte zhvilluar më 15 nëntor në Bukuresht. Në minutat shtesë, kur rezultati ishte 0:0, në fushë erdhi deri te një përplasje mes lojtarëve. Në tribuna u dëgjuan thirrje “Serbia, Serbia” dhe lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha. Ata refuzuan të kthehen për të vazhduar ndeshjen, ndonëse këtë ua kërkoi arbitri, danezi Morten Krogh. Arbitri më pas doli në fushë dhe dha shenjë për fundin e takimit.

CAS-i ende nuk ka marrë vendim për ankesën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ankesa e FFK-së është ende në proces. FFK-ja u ankua në CAS për pjesën e vendimit që ndeshja të regjistrohet me rezultat zyrtar në të mirë të Rumanisë.