Fenerbahçe e Turqisë ka avancuar tutje në 1/8 e finales së Ligës së Evropës, pas ndeshjes shumë të tensionuar të enjten mbrëma në stadiumin “Lotto Park” të Anderlechtit. 

Ndeshja u mbyll 2:2, por nisi me tensione në tribuna që e ndali ndeshjen për 15 minuta.

Madje ballafaqimi ishte në rrezik që të mos vazhdonte, për shkak të thirrjeve raciste, kanë shkruar mediumet e belge e turke të enjten. 

Pasi sulmuesi Youssef En-Nesyri shënoi në minutën e katërt për mysafirët, në tribuna pati përleshje të tifozëve të të dyja skuadrave. 

Lojtarët e të dyja ekipeve hynë brenda në zhveshtore, për t’u kthyer më pas. 

Luis Vazquez i barazoi shifrat në minutën e 19-të, ndërsa sulmuesi argjentinas e shënoi edhe golin për 2:1 në të mirë të vendësve. 

Yusuf Akçiçek shënoi sërish në minutën e 63-të për ekipin e drejtuar nga Jose Mourinho, për të zënë vend në fazën tjetër të garës. 

Ndeshjen e parë në Stamboll, Fenerbahçe e fitoi 3:0.