Të martën Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s bëri zyrtar vendimin që Kampionati Evropian i vitit 2027 për futbollistët deri në 21 vjet të mbahet në Shqipëri dhe Serbi. Të enjten u hodh shorti i kualifikimeve, ndërsa pjesë e shortit ishte edhe përfaqësuesja e Kosovës.

Gjatë tri ditëve të fundit, reagimet për organizimin e përbashkët të Shqipërisë e Serbisë ishin të shumta. Kanë reaguar njohës të futbollit, grupe tifozësh e tifozë të ndryshëm. Por nuk ka pasur e as që pritet të ketë ndonjë reagim nga Federata e Futbollit e Kosovës. Madje FFK-ja e drejtuesit e saj as që janë deklaruar për Evropianin Shqipëri–Serbi.

Mundësitë për këtë ishin të shumta. Federata e Futbollit e Kosovës e mbajti të mërkurën Kuvendin e Punës, ku kishte fjalime të shumta. Por në bazë të asaj që ka njoftuar FFK-ja, Evropiani as që është përmendur.

Federata me numrin më të madh  të sportistëve në vend, nuk është përgjigjur as në interesimin e KOHËS për një qëndrim lidhur me organizimin e përbashkët të Evropianit U21 nga Shqipëria e Serbia.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë disa postime në rrjetet sociale së fundi, por jo për Evropianin 2027 të 21 vjeçarëve. Pas shortit, FFK-ja ka përmendur Evropianin 2027, por pa e shkruar se ku mbahet ai. Pra nuk është përmendur as Shqipëria e as Serbia.

Por, a duhet të deklarohet FFK-ja lidhur me Evropianin në Shqipëri e Serbi?

Ata që e kundërshtojnë një organizim të tillë, e që në Kosovë janë shumica, vlerësojnë se FFK-ja duhet të ketë një qëndrim. Kjo, ndër të tjera do të bënte që FFK-ja të kishte dukshëm më tepër respekt në vend se që ka aktualisht.

Por deklarimi, sidomos nëse do të ishte kundër, do të mund të rrezikonte raportet e FFK-së me Federatën Shqiptare të Futbollit e me shumë mundësi edhe me UEFA-n.

Kjo nuk vlerësohet se është në interes të FFK-së. Aktualisht FSHF-ja vlerësohet se është dukshëm më e fuqishme se federata kosovare e futbollit. Ndër të tjera presidenti i FSHF-së, Armand Duka mban pozitë të rëndësishme në Konfederatën Evropiane të Futbollit. Është njëri prej nënpresidentëve të UEFA-s.

Një i afërm i Dukës e ish-punëtor i FSHF-së, Denis Bastari, ishte përfaqësues i UEFA-s në Kuvendin e Punës të FFK-së të mbajtur të mërkurën. Ai mbajti edhe një fjalim.

“UEFA është shumë e kënaqur me partneritetin me FFK-në, qoftë në aspektin organizativ, por veçanërisht në bashkëpunimin e zhvillimit të projekteve infrastrukturore. Me këtë rast ju konfirmoj edhe një herë se mbështetja e UEFA-s nuk do të mungojë asnjëherë”, tha Bastari para delegatëve të FFK-së.

FFK-ja ka të hyra milionëshe nga UEFA, çdo vit.

Në Kuvend ishin edhe dy përfaqësues të FSHF-së, zëvendëspresidenti Lutfi Nuri dhe sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku. Ky i fundit foli për raportet e mira mes dy federatave.

“Shqipëria dhe Kosova kanë ndarë gjithmonë të njëjtin vizion dhe pasion për zhvillimin e futbollit. Investimi në infrastrukturën sportive, edukimi dhe kualifikimi i trajnerëve, zhvillimi i futbollit të vajzave dhe krijimi i kushteve sa më të mira për fëmijët që të luajnë futboll janë disa nga prioritetet e përbashkëta të dy federatave tona. Ne do të vijojmë të bashkëpunojmë ngushtë për të zhvilluar më tej futbollin, që është sporti më i dashur në të gjithë globin”, ka thënë Shulku.

Është vështirë e besueshme që FSHF-ja e FFK-ja kanë pasur e kanë vizion të njëjtë për Evropianin Shqipëri–Serbi, ndonëse Shulku tha se “dy vendet kanë ndarë gjithmonë të njëjtin vizion…”.

Që këtë “vizion” nuk e ndajnë Shqipëria e Kosova, kjo as që diskutohet.

Derisa FFK-ja nuk deklarohet, vlerësimet nëse ajo duhet të ketë qëndrim për Evropianin Shqipëri–Serbi, mund të jenë të ndryshme. Kjo në fakt nuk është asgjë e re. FFK-ja nuk deklarohet thuajse për asnjë çështje të ndjeshme.

Derisa Serbia mundohet të pengojë secilin hap para të Kosovës, edhe në futboll, dhe vazhdon të ketë pretendime ndaj shtetit të Kosovës, në Kosovë shumë vlerësojnë se FFK-ja duhet të deklarohet qartë kundër organizimit të përbashkët Shqipëri–Serbi. Kjo edhe me çmimin e prishjes së raporteve me FSHF-në dhe lëkundjen e raporteve me UEFA-n.