Barcelona do të ballafaqohet me Benfican në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve, por trajneri Hansi Flick është pyetur për një finale të mundshme me Real Madridin.

Tekniku gjerman nuk ka dashur të shkojë aq largë, ndërsa ka folur për ndeshjet që Barcelona i ka para Benficas në “Champions”.

“Do të jetë ndeshje e vështirë sepse ata luajnë mirë. Asnjë kundërshtar nuk është i lehtë për t’u mundur në këtë fazë të garës. Të gjithë janë kundërshtarë të fortë dhe do të jetë e komplikuar”, ka deklaruar Flick.

Barcelona në javën tjetër do të luajë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit ndaj Atletico Madridit.

Atletico do të ballafaqohet me Real Madridin në Ligën e Kampionëve, dhe për këtë është pyetur edhe Flick në konferencën për shtyp të premten.

“Për ne është e rëndësishme ta shfaqim kualitetin tonë në çdo ndeshje dhe për momentin jemi në formë të mirë. Por, rruga deri në fund është shumë e gjatë. Objektivi i parë është të arrijmë në finale dhe kundërshtari nuk ka rëndësi. Fillimisht, duhet të luash ndaj ekipeve të mira si Benfica”, është shprehur Flick.

Barcelona të shtunën nga ora 21:00 luan në udhëtim te Las Palmasi në La Liga, në ndeshjen e xhiros së 25-të.