Ikona e Athletic Bilbaos, Oscar de Marcos, ka njoftuar se do të tërhiqet nga futbolli aktiv në fund të edicionit, pas shumë vjetësh te skuadra baske.
Pas largimit të Iker Muniainit në sezonin e kaluar, De Marcos u bë kapiten i skuadrës. Por kjo do të zgjasë deri në fundin e edicionit aktual, pasi De Marcos do të pensionohet, njësoj siç bëri edhe Raul Garcia në sezonin e kaluar.
Njoftimin për pensionimin e tij nga futbolli, De Marcos ua ka bërë me dije shokëve të skuadrës të mërkurën në mëngjes, ka shkruar “Football-Espana” të mërkurën.
35-vjeçari do të mbetet futbollisti i dytë me më së shumti paraqitje te kjo skuadër.
Rekordin e mban Jose Angel Iribar me 614 paraqitje.
De Marcos debutoi në vitin 2009 kundër Young Boysit dhe ka pasur suksese me skuadrën baske.
Ishte finalist i Ligës së Evropës, ndërsa e ka fituar Kupën e Mbretit në edicionin e kaluar.
De Marcos ka fituar edhe dy trofe të Superkupës së Spanjës.
Aktualisht ai ka 581 paraqitje me Bilbaon, 42 gola të shënuar e 65 asistime.