Interi u mposht 3:0 nga Fiorentina të enjten mbrëma në udhëtim, në ndeshjen e mbetur të xhiros së 14-të të elitës së futbollit italian.

Ishte ballafaqim që nisi në muajin dhjetor por që nuk kishte përfunduar. Edoardo Bovo, lojtari i Fiorentinas, kishte kolapsuar në fushë dhe ndeshja ishte ndërprerë për të vazhduar të enjten e 6 shkurtit. Bovos i ishte vendosur defibrilatori dhe ishte liruar nga spitali pas 12 ditësh.

Interi e ka shansin që t’i revanshohet Fiorentinas në fillimin e javës së ardhshme, në ndeshjen e xhiros së 24-t.

“Nerazzurrët” të hënën e presin “violan”, në ndeshjen që luhet nga ora 20:45.

Interi është në vendin e dytë me 51 pikë. Në pozitën e katërt me 42 pikë është Fiorentina.

Lider është Napoli me 54 pikë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri, Antonio Conte, Napoli të dielën nga ora 20:45 do të luaj ndaj Udineses.

Udinese është në vendin e dhjetë me 29 pikë.

Të dielën luhen edhe ndeshjet Lazio – Monza nga ora 15:00 dhe Venezia – Roma nga ora 12:30.

Ndërkohë të shtunën Atalanta që është në vendin e tretë me 47 pikë luan në udhëtim ndaj Veronas nga ora 15:00. Verona ka 23 pikë në vendin e 13-të.

Të shtunën luan edhe Milani në udhëtim ndaj Empolit nga ora 18:00.

Milani është prej skuadrave që ka bërë më së shumti transferime në afatin kalimtar të janarit. “Kuqezinjtë” kanë 35 pikë në vendin e tetë.

Empoli ka 21 pikë dhe renditet në pozitën e 16-të. Po lufton për mbetje në ligë.