Përfaqësuesja U21 e Kosovës e luan në udhëtim ndaj Rumanisë ndeshjen e parë kualifikuese për Evropianin e vitit 2027, që do të zhvillohet në Shqipëri e Serbi.

Ndeshjen ndaj rumunëve “Dardanët” e rinj e zhvillojnë më 5 shtator. Pas katër ditësh, Kosova në Prishtinë e pret favoriten e Grupit A, Spanjën.

“Më pas më 14 tetor luan sërish në shtëpi kundër San Marinos, ndërkaq vitin e përmbyll me dy ndeshje si mysafire kundër Qipros dhe Finlandës, më 14 e 18 nëntor. Më pas rikthehet në mars të 2026 sipas këtij kalendari: Kosovë-Rumani (27 mars), Spanjë-Kosovë (31 mars), San Marino-Kosovë (25 shtator), Kosovë-Qipro (30 shtator) dhe Kosovë-Finlandë (6 tetor). Për të arritur në fazën finale të EURO 2027, Kosova duhet të jetë fituese e grupit ose përmes fazës së play-off-it si e dyta e grupit, që zhvillohet në nëntor të vitit 2026”, shkruan FFK-ja.

FFK-ja nuk ka përmendur në njoftim Shqipërinë dhe Serbinë, dy organizatoret e përbashkëta të Evropianit 2027. Shorti është tërhequr të enjten, ndërsa Kosova është bashkë me Spanjën, Rumaninë, Finlandën, Qipron e San Marinon në Grupin A.

FFK-ja nuk kishte reaguar as pas vendimit të UEFA-s që Evropiani U21 do të organizohet nga Shqipëria e Serbia.