Kosova nuk mund të avancojë në raundin e dytë të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027 nga vendi i parë. Por, një shans të dytë e ka. Kosova mund të shpresojë në kualifikim tutje nga pozita e dytë e Grupit A, por i duhet fitorja ndaj Zvicrës. 

Zvicrën e pret të dielën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë nga ora 19:30, në ndeshjen e fundit të fazës grupore. Nga ora 14:00 zhvillohet ndeshja tjetër e grupit, Azerbajxhani – Irlanda.
Përfaqësuesja helvetike e ka fituar Grupin A me dhjetë pikë, pasi ka regjistruar pesë fitore nga po aq ndeshje. Kosova dhe Azerbajxhani kanë nga shtatë pikë në pozitën e dytë dhe të tretë, kurse Irlanda është e fundit me gjashtë pikë. 

Vetëm fituesit e tri grupeve sa janë gjithsej dhe vendi i dytë më i mirë e vazhdojnë garimin. Nga pozita e parë në raundin e dytë parakualifikues të Botërorit 2027 ka avancuar edhe Austria nga Grupi C, ku është edhe Shqipëria që është pa gjasa për kualifikim. 

“Është ndeshja më e rëndësishme dhe dëshirojmë që të kualifikohemi në fazën tjetër. Zvicra është skuadër shumë e mirë dhe është pa humbje deri tani. Të gjithë e dimë se nëse duam ta fitojmë ndeshjen, duhet të jemi agresivë për 40 minuta”, ka deklaruar Mikaile Tmushiq për KOHËN të shtunën. 

Basketbollisti i Trepçës, Tmushiq, ishte më i miri në fitoren ndaj Azerbajxhanit. Ai e mbylli ballafaqimin me 21 pikë, katër kërcime e dy asistime, në fitoren 81:79. 

Zyrtarët e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe basketbollistët kishin bërë thirrje që të kenë përkrahje nga tribunat. Por të enjten mbrëma, numri i shikuesve nuk ishte i madh. 

Tmushiq ka bërë edhe një herë thirrje që përkrahja nga shkallët e palestrës të jetë sa më e madhe, para ndeshjes vendimtare. 

“Uroj që përkrahja nga tifozët tanë të jetë sa më e madhe, në mënyrë që ta arrijmë fitoren. Mendoj se jemi të gatshëm si në aspektin mendor, ashtu edhe në atë fizik. Uroj që ta fitojmë këtë ballafaqim”, ka deklaruar Tmushiq. 

Fitore të dielën mbrëma pret edhe Valon Bunjaku, që shquhet me paraqitje të mira te Bashkimi i Prizrenit. Edhe ai e kërkon mbështetjen e “Dardanëve”. 

“Padyshim që do të jetë ndeshje e vështirë. Zvicra ka ekip të mirë, me lojtarë me përvojë. Dhe kjo dëshmohet pasi nuk kanë humbje në grup. Ne jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje. E mira është se nuk kemi lëndime në ekip. Padyshim se me ndihmën e ‘Dardanëve’, e që shpresoj që salla të jetë e mbushur, presim fitore nga ky takim, në mënyrë që ta sigurojmë kualifikimin tutje”, deklaroi Bunjaku. 

Me fitore të mundshme, Kosova do ta sigurojë pozitën e dytë në grup, ndërsa nëse mposhtet, varet nga rezultati i ndeshjes tjetër të grupit. 

Azerbajxhani do të përfundonte në pozitën e dytë nëse fiton ndaj Irlandës, e Kosova humb nga Zvicra. Pozita e dytë do t’i takonte Kosovës edhe nëse nuk e mposht Zvicrën, por duhet që Irlanda të fitojë ndaj azerëve. Kosova ka bilanc më të mirë se irlandezët në ndeshjet e ndërsjella. 

Për Zvicrën dueli i së dielës nuk ka peshë të madhe pasi kualifikimi është siguruar. Por për Kosovën, situata është ndryshe. 

Ndaj Zvicrës, Kosova mund të përballet ndaj disa lojtarëve të rinj, të cilët nuk e 
kanë pasur rastin të shfaqin aftësitë e tyre. Kështu ka lajmëruar të premten selektori i helvetikëve, greku Ilias Papatheodorou. “Synimi është t’u japim minuta por të mbajmë nivelin e ekipit përfaqësues dhe t’i përgatisim për të ardhmen”, ka deklaruar ai të premten.