Në Bielsko-Biala të Polonisë po mbahet Kampionati Evropian i karatesë për juniorë, kadetë dhe garues të grupmoshës U21.
Në këtë Evropian po paraqitet edhe një numër i madh i karateistëve kosovarë.
Medalje tashmë kanë siguruar Lijana Iseni e Aid Curri.
Lijana Iseni është në finale të kategorisë deri 61 kilogramë në grupmoshën e kadeteve.
Ajo nisi me fitore 3:0 ndaj garueses së Norvegjisë, Lina-Viktoria Sales. Më pas e mposhti po me 3:0 polaken Zuzanna Kapica. Në luftën e tretë karateistja kosovare e mposhti 2:1 gjermanen Liv Svende Koenig. Në gjysmëfinale Lijana Iseni fitoi 6:0 ndaj sllovenes Lia Krvina. Në finale, të dielën, Lijana Iseni përballet me Hannah Bath Soendergaard të Danimarkës.
Ndërkohë Aid Curri u rendit i treti në kategorinë deri 63 kilogramë, në grupmoshën e kadetëve.
Curri nisi me fitore 9:5 ndaj Filip Todoroviqit të Luksemburgut. Më pas fitoi 3:2 ndaj Albin Alii të Maqedonisë së Veriut. Në luftën e tretë e mposhti francezin Maxence Jambart. Më pas u mposht 5:1 nga Oleksandr Cheban i Austrisë.
Për medalje të bronztë, Aid Curri e mposhti Asim Malsagovin e Gjermanisë, 5:1.
“Janë rezultate fantastike. Sportistët e Kosovës po tregojnë paraqitje të shkëlqyera në Kampionatin Evropian. Lijana Iseni në finale është arritje e madhe dhe shpresojmë që të sjellë medaljen e artë për Kosovën. Edhe suksesi i Aid Currit me medaljen e bronztë është për t’u duartrokitur, ashtu si edhe paraqitja e Alma Lokut dhe Rion Bahtirit. Me këtë energji dhe motivim nesër sigurisht do të ketë edhe më shumë medalje për Kosovën”, ka thënë Isak Curri, që është udhëheqës i delegacionit të Kosovës dhe trajner i përfaqësueses.
Prej karateistëve të Kosovës plasman kanë pasur edhe Alma Loki që u rendit e shtata në kata, në grupmoshën U21 dhe Rion Bahtiri që ishte i nënti në kategorinë deri 70 kilogramë në grupmoshën e kadetëve.