Të mërkurën mbrëma është kapitulli i radhës në rivalitetin e madh evropian, Real Madrid – Manchester City. Dy gjigantët e futbollit janë përballur thuajse rregullisht në Ligën e Kampionëve në vitet e fundit. U përballën edhe më 11 shkurt në “Etihad”, ndërsa fitore me rezultatin 3:2 shënoi Real Madridi.
Kështu fituesi në fuqi i Ligës së Kampionëve, Madridi, është në pozitë të mirë për ta siguruar avancimin në një të tetën e finales. Ndeshja e dytë e plejofit të fazës nokaut të Championsit fillon në ora 21:00.
Në Manchester, madrilenët fituan me gol të minutës së 92-të. Jude Bellingham ishte realizator. Erling Haaland shënoi në minutën e 19-të dhe në minutën e 80-të për kampionin anglez. Kylian Mbappe në minutën e 60-të dhe Brahim Diaz në minutën e 86-të u përgjigjën për Madridin, para se anglezi Bellingham ta vendoste ndeshjen dramatike.
Tjetër ndeshje e fortë dhe interesante pritet të mërkurën mbrëma.
“Do të mundohemi ta përsërisim paraqitjen e javës së kaluar. Do të jetë ndeshje interesante, në të cilën duhet të japim çdo gjë për 90 minuta”, ka thënë trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti.
Në konferencë për shtyp foli edhe mesfushori Federico Valverde.
“E dimë se sa e rëndësishme është të fitojmë. Por do të jetë vështirë. Duam të vazhdojmë të rritemi si grup dhe të arrijmë suksese së bashku. Do të mundohemi që ta bëjmë natë që do të mbahet mend nga të gjithë tifozët e Real Madridit, një natë që do të na afrojë te titulli më i bukur prej të gjithëve”, ka theksuar Valverde.
Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, ka theksuar se skuadrës së tij i duhet paraqitje me kurajë dhe e përkryer për të shënuar fitore në Madrid.
“Për të marrë rezultatin që na duhet, qartë se duhet të luajmë ndeshje gati të përkryer. Rezultati nga ndeshja e parë nuk është situatë perfekte. Ne duhet të sulmojmë dhe të shënojmë gola, kjo është ideja. Do të jetë ndeshje e vështirë në udhëtim, sidomos pas rezultatit në ndeshjen e parë. Duhet të luajmë me kurajë. Të jemi vetvetja”, ka thënë Guardiola.
Të mërkurën kompletohet plejofi i fazës nokaut të Championsit.
Ndeshja e parë është ajo mes Dortmundit dhe Sportingut, që fillon në ora 18:45. Skuadra gjermane e ka thuajse të sigurt kalimin në një të tetën e finales. Fitoi 3:0 në ndeshjen e parë, në Lisbonë.
Pos superderbit Madrid – City, nga ora 21:00 janë edhe ndeshjet PSG – Brest dhe PSV – Juventus. Edhe Parisi thuajse ka përfunduar punën në ndeshjen e parë. Fitoi 3:0 në udhëtim ndaj skuadrës tjetër franceze.
Ndërkohë e hapur vlerësohet sfida mes Juventusit dhe skuadrës holandeze PSV Eindhoven. Juve e fitoi 2:1 ndeshjen e parë në Torino. Ndeshja e kthimit është në Holandë.
“Kjo është ndeshja më e rëndësishme deri më tani këtë edicion. Duhet të ofrojmë paraqitje të nivelit më të lartë në të gjitha aspektet – teknik, fizik dhe mental. Vetëm kështu mund të avancojmë në fazën tjetër”, ka thënë trajneri i Juventusit, Thiago Mota.
“Ne asnjëherë nuk synojmë barazimin. Mendja jonë është për të fituar dhe do të dalim në fushë me këtë qëllim. Prej fillimit objektivi ynë është i qartë – të sigurojmë fitore me mbrojtje solide dhe duke shfrytëzuar topin kur e kemi. Duhet ta meritojmë kualifikimin duke qenë ekip më i mirë”, ka shtuar Motta.
Tetë skuadra janë kualifikuar direkt në një të tetën e finales nga faza e ligës. Shorti për një të tetën e finales tërhiqet të premten nga ora 12:00.