Golat kërkoheshin dhe Muriqi dëgjoi. Sulmuesi i Real Mallorcas e përfundoi javën më të mirë të edicionit me ndeshjen ndaj Las Palmasit dhe konfirmoi “rikuperimin” e instinktit të shënimit të golave që i mungoi.
Nga vetëkritika që bëri pas ndeshjes me Osasunan, një javë më herët, te gëzimi për dygolëshin që bëri të jetë i njëjtë si gjithnjë. Tri gola në shtatë ditë janë dhuratë për sulmuesin, që ka nisur të kthejë vetëbesimin që e humbi në javët e kaluara.
Tri gola në tri mënyra të ndryshme. Nga penalltia ndaj Osasunas (që mjaftoi për një pikë), te goli me kokë “në stilin Muriqi”, goditje të cilën Cillessen ka mundur vetëm ta shikonte dhe duke përfunduar me një goditje të ulët me këmbë, për të cilin gol portieri holandez ka pjesën e përgjegjësisë, por që u shënua pas një vrapimi të mirë të kosovarit.
Golat janë kërkuar nga Muriqi, por vija e dytë dhe i gjithë ekipi i kanë dhënë atij topa të vlefshëm. Edhe kjo ka munguar dhe nuk i bëri gjërat më të lehta për “Murin” që sërish është golashënuesi më i mirë i ekipit dhe tashmë ka kaluar Cyle Larinin (pesë gola).
Është hera e dytë prejse arriti te Mallorca, që Muriqi ka shënuar dy gola. Së pari dy gola i shënoi ndaj Real Valladolidit më 9 prill të vitit 2023. Në atë ndeshje njërin prej golave e shënoi nga penalltia.
Kundër ekipit të Diego Martinez, goditja me kokë dhe goditja me këmbën e majtë ishin konfirmim i kthimit të tij si “vrasës autentik”, që Muriqi ka dëshmuar se është prejse u transferua në La Liga.
Njëri prej asistimeve për Muriqin ishte nga Dani Rodriguez. Në moshën 36-vjeçare ai ka shifra mbresëlënëse: katër gola dhe pesë asistime në 24 ndeshje. Muriqit i duhen partnerë si Dani Rodriguez për të shfaqur më të mirën.