Sulmuesi i Bristol Cityt, Anis Mehmeti, beson se “e gjithë loja e tij” mund të përmirësohet edhe më shumë.

Ai të mërkurën mbrëma i shënoi dy gola në fitoren 2:0 ndaj Stoke Cityt.

24-vjeçari Mehmeti aktivizohet në krah, ndërsa është futbollist i Shqipërisë.

Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e “kuqezinjve”, ndërsa me Shqipërinë A i ka tri paraqitje në kualifikime për “Euro 2024”, ndaj Polonisë, Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

Mehmeti me Bristol Cityn në edicionin aktual, i ka realizuar 11 gola në total dhe është golashënuesi më i mirë i klubit.

Në edicionin e kaluar në kategorinë e dytë të futbollit anglez, i kishte vetëm katër në total.

“Në lojën time në përgjithësi, 100 për qind se mund të jem edhe më i rrezikshëm në situatat një kundër një”, ka deklaruar të enjten Mehmeti për “BBC Radio Bristol”.

“Unë jam futbollist i cili, kur gjithçka shkon mirë, shikoj para, dhe kur diçka nuk shkon mirë, mendoj shumë për to. Jam shumë i lumtur që tani kam numër dyshifror të golave të realizuar. Unë mendoj të shënojë sa më shumë gola, por mundohem edhe të realizojë sa më shumë asistime. Mendoj se këtë po e bëj për momentin”.

Fitorja ndaj Stoke Cityt ka bërë që Bristol City të lëvizë drejt vendeve që dërgojnë në plejofin e “Championshipit” për inkuadrim në Premier League.

“Do ta përshkruaja këtë si rritje të madhe, fitore profesionale. E dinim se duhej të fitonim sepse humbëm të dielën dhe ishte përgjigje e shkëlqyer nga djemtë. Mendoj se kohëve të fundit kemi rrjedhshmëri më të madhe të lojës dhe kombinim më të mirë”, ka thënë Mehmeti.

Anis Mehmeti është futbollist i zhvilluar te të rinjtë e Fulhamit, Tottenhamit e Norwichit. Më pas ka luajtur edhe për Woodford Town e Wycombe.

Ai në 32 paraqitjet e edicionit aktual në të gjitha garat, krahas 11 golave të realizuar, e ka edhe një asistim.