Ato bënë një befasi. Futbollistet e Hoffenheimit mposhtën Wolfsburgun 1:0 në çerekfinale të Kupës së Gjermanisë. Hera e fundit kur Wolfsburg pësoi një humbje në këtë garë ishte 16 nëntori i vitit 2013. Erëleta Memeti shënoi golin vendimtar pak pas fillimit të pjesës së dytë. Në intervistën për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB), 25-vjeçarja flet për festën pas golit, festën në dhomën e zhveshjes dhe ëndrrën për ta fituar titullin.

Federata e Futbollit e Gjermanisë (DFB): Si ishte gjendja shpirtërore pas lojës?

Erëleta Memeti: As vetë nuk mund ta shpreh me fjalë. Është e çuditshme që ne eliminuam Wolfsburgun. Ata patën një seri të pabesueshme.

DFB: Si u ndjetë kur shënuat golin?

Memeti: Më është dashur një moment për të kuptuar se topi ishte vërtet brenda në portë. Por më pas i gjithë stadiumi brohoriti dhe unë nuk dija si të festoja. Dhe, mbi të gjitha, nuk dija çfarë të bëja me emocionet e mia. Pastaj vajzat erdhën me vrap drejt meje. Ishte thjesht një ndjenjë e mrekullueshme. Por ishte larg fundit. Kishin mbetur edhe 40 minuta lojë. Banka e rezervistëve dhe tifozët na mbështetën deri në fund. Ne ishim më të motivuara dhe luajtëm së bashku si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Gjithçka funksionoi. Ditë si kjo nuk vijnë shumë shpesh.

DFB: Çfarë ndodhi pas ndeshjes?

Memeti: Pas ndeshjes pati festë. Festuam siç duhet në dhomat e zhveshjes, duke kënduar dhe kërcyer. Ishte thjesht çmenduri! Unë kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë më parë.

DFB: Si kaloi nata, a të ka zënë gjumi?

Memeti: Isha shumë e sëmurë, por iu përgjigja shumë mesazheve që më erdhën në të gjitha rrjetet. Prandaj kam fjetur vonë. Fatmirësisht nuk ka pasur stërvitje sot, përndryshe do të ishte e vështirë. Por sot ndihem mirë. U shërova çuditërisht shpejt, veçanërisht pasi isha e sëmurë para ndeshjes. Mund të kishte ndodhur gjithashtu që do të më duhej të largohesha pas vetëm dhjetë minutash, sepse nuk isha mjaftueshëm e fortë fizikisht. Megjithatë, u ndjeva shumë mirë në lojë. Adrenalina dhe magjia e Kupës më dhanë shtysë.

DFB: Wolfsburg humbi për herë të fundit një ndeshje në Kupën më 16 nëntor 2013. Çfarë bënit në atë kohë?

Memeti: Kam luajtur futboll me djemtë në klubin Fichtenberg vetëm për rekreacion. Unë isha 14 vjeç në atë kohë dhe kisha filluar të luaja futboll vetëm tre vjet më parë. Në atë kohë, ndoshta nuk e dija që femrat mund të luanin futboll profesional. Këtë e kuptova më vonë. Për një kohë të gjatë kam luajtur vetëm sepse më ka pëlqyer. Më vonë mora një ftesë për t’iu bashkuar një klubi. Ende më kujtohet saktësisht se si trajneri na pyeti pse ishim këtu. Një lojtare më pas u përgjigj se donte të arrinte në ekipin kombëtar. Kur e dëgjova, e shikova dhe pyesja veten se çfarë po ëndërronte dhe si përfundova këtu.

DFB: Më pas keni arritur në ekipin kombëtar – në Përfaqësuesen e Kosovës, prej nga vijnë prindërit tuaj.

Memeti: Në fakt ishte një ëndërr e realizuar për mua. Kombëtarja e Kosovës për femra ekziston vetëm që nga viti 2016. Kur mora ftesën u ndjeva shumë krenare. Më dukej emocionuese të ndërtoja diçka atje. Ne jemi ende në fillimet e zhvillimit atje. Por po shkon në drejtimin e duhur. Pres me padurim gjithçka që do të vijë ende.

DFB: Le të shohim përpara: Çfarë dëshironi të bëni në mbrëmjen e 1 majit?

Memeti: Ta mbaj Kupën e Gjermanisë në dorë dhe të festoj.

DFB: A vazhdoni të ëndërroni titullin?

Memeti: Po patjetër. Kjo fitore ndaj Wolfsburg na jep shumë forcë për detyrat e radhës. Tani duam të shkojmë për ta fituar finalen në Koln dhe të garojmë për titullin. Unë tashmë e kam ndjekur finalen si spektatore, por do të doja shumë ta përjetoja në fushë një ditë.

DFB.de: Të hënën në mbrëmje do të tërhiqet shorti për gjysmëfinalet. Werder Bremeni, Bayerni dhe Hamburgu janë ende në garë. Cilin ekip e preferoni për kundërshtar?

Memeti: Natyrisht, na duhet pak fat në short sepse nuk duam domosdo të luajmë kundër Bayernit. Një lojë në shtëpi do të ishte e bukur në parim. Por çfarëdo që të ndodhë, ne e pranojmë sfidën. Më në fund, arritëm të eliminonim Wolfsburgun nga gara.

DFB: Wolfsburgu kishte fituar të gjitha 52 ndeshjet e fundit në Kupë. A ishte kjo dita më e madhe në karrierën tuaj?

Memeti: Gjithsesi. Ishte një ditë e papërshkrueshme. Nuk do ta harroj shpejt këtë përvojë. Më duhet ende pak kohë për të kuptuar se çfarë ndodhi. Ne kemi arritur diçka historike.

DFB: Ktheheni në normalitet të dielën. Në Bundesligën e femrave, në program është dueli kundër Bayer Leverkusenit. Sa të vështirë do ta kesh përqendrimin pas asaj që përjetove?

Memeti: Nuk do të jetë aspak e vështirë. Jemi mjaft profesioniste për të dhënë sërish 100 për qind. Ne duam të marrim tre pikë kundër Leverkusenit. Ne duam të fitojmë çdo ndeshje. Gjithçka është e hapur.