Trajneri Thiago Mota ka qenë vetëkritik, por ka thënë se “zonja e vjetër” është në rrugën e duhur, pavarësisht eliminimit nga Liga e Kampionëve.

Juventusi u mposht 3:1 të mërkurën nga PSV Eindhoveni dhe u eliminua nga plejofi i fazës nokaut të Championsit.

“Pas dëshpërimit, gjëja më e mirë është të kthehemi sërish në fushë. Kemi ndeshje të fortë para nesh. E njohim kundërshtarin, vështirësitë e ambientit dhe duhet të shfaqim paraqitje të mirë”, ka deklaruar të shtunën Motta në konferencën për shtyp.

Juventusi të dielën nga ora 20:45 luan në udhëtim te Cagliari.

“Bardhezinjtë” tani kanë kthyer vëmendjen në kampionat. Kanë mbetur prapa në garën për titull, por synojnë ndonjë vend që dërgon në Ligën e Kampionëve për edicionin tjetër.

“Çdo vendim që merret është për të arritur rezultatin më të mirë për momentin. I respektoj mendimet e të gjithëve, por unë vazhdoj tutje. Besoj se jemi në rrugën e duhur”, ka deklaruar Motta.