Gjyqtari spanjoll, Jose Munuera Montero, është liruar nga akuzat që i janë bërë së fundmi. 

Federata e Futbollit e Spanjës kishte ngritur hetime për konflikt të mundshëm interesi ndërmjet tij dhe kompanisë “Talentus Sport”. 

Federata spanjolle nëpërmjet një komunikate të enjten ka thënë se nuk do të merren masa ndaj 41-vjeçarit, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes pasi ia dha kartonin e kuq Jude Bellinghamit në barazimin 1:1 me Osasunan të shtunën. 

Bellinghami, sipas Munueras, kishte përdorur gjuhë fyese ndaj tij dhe e kishte përjashtuar nga loja. 
Mesfushori i Real Madridit ka mohuar këto pretendime, por suspendimi me dy ndeshje i ka mbetur në fuqi.  

Munuera e mbylli llogarinë e tij në Instagram pasi ka pranuar mijëra komente negative, fyese, e kërcënime, pas atij ballafaqimi. 

Mediumet spanjolle “Marca” dhe “AS”, kishin raportuar se kompania ku Munuera është bashkëpronar, ka pasur lidhje me institucionet e futbollit dhe me klubet profesionale. 

Munuera ka mohuar një gjë të tillë.